TIRANË

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka publikuar sot një dokument, sipas të cilit në Spitalin e Beratit iu kërkohet mjekëve të mos japin rekomandime për analiza për pacientët që rekomandohen nga mjeku i familjes, shkojnë për vizitë tek mjeku specialist, apo në urgjencë. Vetëm rastet e rënda mund të bëjnë analiza.

Sipas urdhrit të publikuar nga Vasili, mjekëve iu kërkohet t’i shtyjnë analizat për në prill. Vasili theksoi se prokuroria ka lidhur duart.

DEKLARATA E PLOTË
Ky është dokument zyrtar me firmë dhe vulë.
I drejtohet mjekëve të familjes dhe poliklinikave si dhe spitaleve ku u kërkohet të pezullojnë analizat për pacientët për pjesën e mbetur të muajit mars.

Mjekëve të urgjencës u kërkohet që të triazhojnë pacientët dhe të dërgojnë për analiza vetëm pacientët në gjendje të rëndë!

Për pacientët e shtruar në spital urdhri kërkon që “të kufizohen ekzaminimet laboratorike të panevojshme”!

Këto urdhra janë kriminale pasi i privojnë pacientët nga një ndërhyrje që mund të bëjë diferencën midis jetës dhe vdekjes, tregojnë qartë se sistemi shëndetësor ka falimentuar!

Vetëm këta prej 9 vjetësh sistemin shëndetësor mund t’u kërkojnë mjekëve të shmangin ekzaminimet e panevojshme! Çfarë do të thotë “ekzaminim i panevojshëm”??!! Protokollet e trajtimit mjekësor nuk flasin kurrë për ekzaminime të panevojshme sepse të tilla koncepte të çmendura ekzistojnë vetëm në mendjen e rilindjes.
A ka kontroll për mënyrën se si shpenzohen burimet financiare të cilat edhe në sistemet më të pasura shëndetësore trajtohen me vëmendje maksimale?!

Kur mjekët dhe specialistët e menaxhimit shëndetësor flisnin për rrezikun që vinte nga PPP-ja e laboratorëve, askush nuk e mendoi se situata do të arrinte deri në këtë pikë!

Edhe OBSH u shpreh qartë në atë kohe se laboratorët nuk duhet të jepeshin me koncesion.
Mjekët ligjërisht nuk mund dhe nuk duhet ta zbatojnë këtë urdhër sepse ky i vë përpara përgjegjësisë ligjore ata vete për mjekim të pakujdesshëm me pasoja jetën dhe shëndetin e pacienteve.

Ndërkohë pacientët të cilëve së shpejti do t’u vijë një mesazh për t’i njoftuar se ekzaminimet e planifikuara për muajin mars do të shtyhen për në muajin prill.

Kjo qeveri që ka para’ të paguaje inceneratorët dhe Klodian Zoton dhe Stela Gugallen, të paguajë koncesione e tendera sekrete me 10-fishin e çmimit nuk paska lekë për analizat e shqiptarëve.

Këtu e katandisi shëndetësinë Edi Rama duke shënuar fundin e duke mos siguruar as minimumin analizat mjekësore. Prokuroria për turpin e saj ka lidhur duart dhe sheh krimin në mes të ditës dhe nuk reagon. Çfarë drejtësie e re është kjo që edhe përpara skandaleve kaq të rënda nuk reagon.

Whatsapp Image 2022 03 20 At 11.50.28
Whatsapp Image 2022 03 20 At 11.50.28

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb