Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Në letër UFSH kërkon të rikthehen kriteret për hapjen e farmacive. Sipas UFSH duhen vendosur kriteret për hapjen e farmacive, si për sa i takon sipërfaqes, distancës dhe numrit të banorëve për farmaci.

“Mendojmë se para se të hapet një farmaci, ambientet e vëna në dispozicion për këtë aktivitet duhet t’i nënshtrohen një inspektimi paraprak nga AKBPM, më pas, të merret aprovim nga Ministria e Shëndetësisë për zhvillimin e këtij aktiviteti, të pajisen me licencën e drejtuesit teknik të lëshuar nga UFSH dhe proçesi i pajisjes me licencë tregëtare të jetë procedura e fundit, para hapjes së aktivitetit”, deklaron UFSH.

Po kështu UFSH deklaron se duhet që pronar i subjetit farmaceutik të rivendoset farmacisti drejtues teknik i subjektit. Kërkohet dhe limitim i numrit të farmacive që mund të ketë në pronësi pronari.

UFSH shprehet se në qoftë se duam që shërbimi farmaceutik të eci në rrugën e duhur referuar kjo dhe vendeve të BE, mendojmë se:

1. Duhen vendosur kriteret për hapjen e farmacive, si sa i takon sipërfaqes, distancës dhe numrit të banorëve për farmaci.

2. Duhet që pronar i subjetit farmaceutik të rivendoset farmacisti drejtues teknik i subjektit (kjo eksperiencë ekziston në vendet e BE, por ka qenë e aplikuar dhe tek ne).

3. Duhet limitim i numrit të farmacive që mund të ketë në pronësi pronari i farmacisë (jo më shumë se tre, referuar vendeve të BE).

4. Mënjanimi i konfliktit të interesit nëpërmjet parashikimeve që ligji duhet të jetë një kriter tjetër që duhet plotësuar kur dikush hap farmaci.

5. Duhet rishikuar marzhi i tregëtimit të barnave.

6. Duhet aplikuar e përcaktuar tarifë shërbimi për farmacistin (ekziston tek të gjitha profesionet e rregulluara që ofrojnë shërbim, nga ky rregull përjashtohet vetëm farmacisti).

7. Vendosja e orarit të shërbimit farmaceutik të jetë kompetencë e Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë dhe jo e Ministrit të Shëndetësisë.

8. Importues-shpërndarësit, qofshin ata dhe farmacistë nuk duhet të kenë të drejtë të hapin farmaci. Identifikimi i pronarit/pronarëve nuk duhet të realizohet nëpërmjet NIPT-it, ai duhet të shërbejë si element i dallueshëm i subjektit vetëm në aspektin tregëtar. Identifikimi duhet të realizohet nëpërmjet individit si person fizik me aftësi juridike dhe për të vepruar.

9. Është domosdoshmëri hartimi sa më i shpejtë i një rregulloreje të shërbimit farmaceutik. Pas daljes së një ligji, ai duhet të plotësohet me akte të tjera normative. Ligji aktual i barnave dhe shërbimit farmaceutik ndërhyrjen e fundit e pati në vitin 2014. Jemi ende në mungesë dhe vuajmë pasojat e mosekzistencës së një rregulloreje e cila saktëson gjera specifike që lidhen me ligjin.

10. Të ndryshohen procedurat e deritanishme për hapjen e farmacisë. Miratimi pas kontrollit paraprak në ambientet që do shërbejnë si farmaci, duhet të paraprijë procedurat e nxjerrjes së të dhënave të biznesit të farmacisë pranë QKB.

11. Si institucion që japim dhe heqim të drejtën e ushtrimit të profesonit, përpunojmë të dhëna të cilat lidhen jo vetëm me farmacistin, por dhe me farmacinë, me përgjegjësi të plotë deklarojmë se numri i farmacive lidhur me numrin e banorëve që ndodhet në Shqipëri është shumë herë më i lartë se vendet e BE dhe rajonit.

Shpërndarja e tyre në mosekzistencë të asnjë kriteri nuk garanton mbulim me shërbim farmaceutik në mënyrë të njëtrajtshme, por diferencon dhe shkakton diskriminim tek
qytetarët, në një kohë kur e drejta për shëndet është një e drejtë Kushtetuese.

Në këtë situate, kur kemi një mbihapje të farmacive, keqshpërndarje të tyre, mosekzistencë të asnjë përcaktimi sa i takon kritereve të hapjes së farmacisë, por dhe të pronarit që ka të drejtë ta hapi atë, do na dukej shumë e udhës dhe në mbrojtje të qytetarëve dhe shërbimit farmaceutik, pezullimi deri në normim dhe stabilizim, sa i takon hapjes së farmacive.

LETRA E PLOTË

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb