TIRANË– Pas urdhrit që dha kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako, për marrjen e masave ndaj ndërtimeve dhe krimeve mjedisore, vjen dhe aksioni i parë që u finalizua me arrestimin e një efektivi policie si dhe një inspektori të IMT-së në Bashkinë e Tiranës.

Kështu, në kuadër të operacionit “Ndërtimi 3” dje në orën 23:30, nga Sektori për Krimin Ekonomiko Financiar në D.V.P.Tiranë në bashkëpunim me Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SH.Ç.B.A), dhe Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, si dhe me Prokurorin e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë arrestimi në flagrancë i Roland Skënderit, 40 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë oficer policie për Krimet, në Komisariati i Policisë nr.2 të kryeqytetit si dhe Shyqyri Gega, 50 vjeç, me profesion Inxhinier Gjeolog, i punësuar si Inspektor i lartë tek IMT Bashkia Tiranë.

AKUZAT
Procedimi i këtyre shtetasve u bë për veprën penale “Ndërtim pa leje”, dhe “shpërdorim detyre”, pasi më datë 23.08.2017, në vendin e quajtur rr. Muhamet Gjollesha, pallati ML, Roland Skënderi ka kryer ndërtim pa lejen e organeve kompetente konkretisht një lokal bar kafe.

Sa më sipër nga ana e Inspektorit të Inspektoriatit Mbrojtjes së Territorit, edhe pse morën dijeni për këtë ndërtim pa leje nuk kanë nxjerr vendim për prishjen e tij por e kanë lejuar duke u mjaftuar me pezullim të punimeve dhe pa njoftuar Policinë e Shtetit për ndërtimin pa leje ku kanë sjellë pasoja ndaj interesave të ligjshme të shtetasve (banorëve të pallatit), në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Materialet proceduriale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprën penale “Ndërtim pa leje dhe shpërdorim detyre, parashikuar nga nenet 199/a dhe 248 e 25 Kodit Penal.

SHKARKIMET NGA DETYRA
Gjithashtu nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë marrë masa administrative për oficerët e policisë si më poshtë;

-Shkarkim nga detyra për shefin e Komisariatit të Policisë nr.2 Tiranë.

-U shkarkua nga detyra dhe ka filluar hetimi disiplinor për Shefin e policimit në komunitet, pranë komisariatit nr.2-Tiranë.

-U shkarkua nga detyra dhe ka filluar hetimi disiplinor për Specialistin e policisë kriminale (që mbulon zonën), pranë komisariatit nr.2-Tiranë.

-U shkarkua nga detyra dhe filloi hetimi disiplinor për Specialistin e policisë së rendit (që mbulon zonën), pranë komisariatit nr.2-Tiranë

Po në lidhje me këtë ndërtim pa leje nga (SH.Ç.B.A) janë kryer veprime proceduriale penale mbi dyshimet për implikim të punonjësve të policisë pranë Komisariatit nr.2, Tiranë, të cilët kanë marre dieni apo nuk kanë kryer detyrat funksionale sipas procedurave standarde për ndërtimet pa leje. Materialet do ti referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për vlerësim të mëtejshëm.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb