TIRANE – Operacioni kundër informalitetit nuk do të kursejë as punonjësit e administratës. Një urdhër i Kryeministrit paralajmëron 88 mijë e 500 punonjësit e administratës shtetërore për penalitete deri në largim nga puna, nëse kapen pa marrë kuponin tatimor.

Urdhri i kryeministrit Edi Rama, publikuar nga “Vizion Plus”, është dërguar fillimisht pranë Ministrisë së Financave për zbatim. Më pas ky model do të shpërndahet në të gjithë administratën, përfshirë edhe institucionet e pavarura dhe njësitë vendore. Të gjithë nëpunësit, që ushtrojnë një funksion publik në një institucion të administratës shtetërore, institucion të pavarur apo njësi të qeverisjes vendore (këtu e më poshtë referuar si nëpunësit) duhet të angazhohen në marrjen e masave për përmbushjen e detyrimit ligjor të marrjes së kuponit tatimor për çdo blerje ose përftimit të shërbimit.urdhri-i-rames

Në këtë dokument specifikohet se Drejtoria e Tatimeve çdo tre muaj duhet të hartojë listën e personave qe ka gjobitur për mos pajisje me kuponin tatimor. Më pas dokumenti i çohet për verifikim Departamentit të Administratës Publike, i cili konstaton nëse mes te ndëshkuarve ka apo jo nëpunës civilë. Struktura përkatëse e burimeve njerëzore i raporton me shkrim eprorit direkt të nëpunësit ndaj të cilit është marrë masa e gjobës nga administrata tatimore.

Dënimi me gjobë i nëpunësve për mosmarrje të kuponit tatimor sipas nenit 125 të ligjit nr.9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore”, përbën shkak për fillimin e procedurave disiplinore ndaj nëpunësit përgjegjës. Procedurat disiplinore që duhet të merren ndaj punonjësit të administratës publike shkojnë deri në pushim nga puna të tij, nëse ai është gjobitur në mënyrë të përsëritur nga tatimet për faktin se nuk ka marrë kuponin. Të njëjtën praktikë qeveria Rama ndoqi edhe gjatë aksionit kundër informalitetit në sektorin e energjisë, i cili arriti të arkëtonte miliona lekë të ardhura nga punonjësit shtetërorë që nuk kishin paguar faturat e dritave.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: