NGA OLA MITRE
Këshilli i Ministrave ka miratuar strukturën e pagave për punonjësit me arsim të lartë dhe infermieristikës në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore. Ndërkohë që “Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë një kopje të tabelave të reja me rritjen që përfiton çdo pozicion pune.

Sikurse duket prej këtyre tabelave, të cilat i gjeni bashkëngjitur shkrimit, ka një riorganizim të pozicioneve të punës, duke qenë se tashmë ky është një shërbim tërësisht i reformuar. Për pasojë, ai zëvendëson pagat e punonjësve të Njësisë së Transportit Mjekësor me Helikopterë, që ka funksionuar deri më tani.

Sipas tabelave, ka një ndryshim të grupit të pagës nga 13000 që ishte deri më tani, në pagën e grupit 14000 lekë. Ndërkohë që sa i takon shtesës për pozicion për mjekët, ajo do të jetë 48200 lekë plus 2 për qind shtesë për vjetërsi pune. Po ashtu, sipas ndryshimeve, mjekët do të kenë edhe një shtesë për kushte pune prej 2000 lekësh.

Trajnimi
Ndërkaq, Vendimi i Këshillit të Ministrave sjell edhe një risi sa i takon trajnimit të personelit mjekësor, personelit paramedikal dhe publikut të gjerë. Ato do të kryhen nëpërmjet veprimtarive të trajnimit që organizohen nga vetë Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, ose në bashkëpunim me Universitetin e Mjekësisë apo qendrat spitalore.

Sipas VKM-së, në rastet kur punonjësit e personelit mjekësor (me arsim të lartë) të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore marrin pjesë në veprimtaritë e trajnimit, (si për personelin mjekësor, ashtu edhe për personelin paramedikal dhe publikun e gjerë), të cilat organizohen nga vetë qendra, për çdo orë mësimi 60-minutëshe përfitojnë trajtim me pagesë.

Më konkretisht, trajnerët me më pak se 10 vite punë në profesion do të përfitojnë një pagesë 750 lekë për orë, ndërsa trajnerët me më shumë se 10 vite punë në profesion përfitojnë një pagesë 1 500 lekë për orë. Vendimi i qeverisë saktëson se trajnerët, të cilët janë punonjës të personelit mjekësor (me arsim të lartë) të QKUM-së e përfitojnë këtë pagesë deri në 200 orë në vit.

Ndërkohë që, në rastet kur trajnerët janë bashkëpunëtorë të jashtëm nga Universiteti i Mjekësisë apo nga qendrat spitalore, pagesa për orë do të jetë e njëjtë me trajnerët e brendshëm të qendrës. Efektet financiare të këtij vendimi do të fillojnë nga data 1 janar 2017.
tabela, pagat

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb