FIER

Një ditë më parë, në grupin e “Whatsapp” të Komisionit të Sigurisë, deputeti i PS, Bujar Çela ka uruar 28 nëntorin me një foto ku krahas flamurit shqiptar, ishte stampuar edhe figura e ish-diktatorit Enver Hoxha. Ky urim, ka marrë reagimin e deputetëve të opozitës, të cilët e kanë cilësuar këtë hap, si fyes dhe poshtërues.

Sakaq, lidhur me këtë incident ka reaguar kryetari i grupit parlamentar të PS. Pas nderimeve që i bëri në varrezat e Fierit, dëshmorëve të Luftës Nacional Çlirimtare,
ai tha se ka marrë një sqarim nga deputeti Çela, e derisa të bëhen të gjitha verifikimet e nevojshme do të vendoset nëse do të merret masë disiplinore ndaj tij.

“Unë kam marrë një sqarim nga deputeti në fjalë, që bëhet fjalë për përdorim të aparatit të tij celular nga persona të tjerë. Kjo do të jetë pjesë e një verifikimi në aspektin e kodit të sjelljes dhe etikës brenda grupit parlamentar dhe çdo masë ndëshkimore do të merret në momentin që do të ketë verifikime. Do i kërkoja të gjithë kolegëve të tjerë të raportojnë raste të tilla dhe natyrshëm që grupi parlamentar i PS ka të gjithë instrumentet e nevojshme për të ndërmarrë çdo lloj hapi apo mase disiplinore”, tha Balla.

Gjithashtu Balla foli dhe për 29 nëntorin dhe rëndësinë që ka kjo ditë për shqiptarët:

“29 nëntori është një datë e shënuar për historinë e kombit tonë sepse jo vetëm që ishte fundi i Luftës së Dytë Botërore për Shqiptarët, duke qenë se ishim vendi i parë ndoshta në Evropë që çliruam Shqipërinë vetëm nga forcat partizane. Ato e renditën Shqipërinë në krahun e forcave fituese të Luftës së Dytë Botërore.

Edhe pse këto 30 vite ka pasur përpjekje të vazhdueshme të historianëve dhe politikane të caktuar të cilët edhe dje dëshmuan që nuk heqin dorë nga përpjekja për të zvogëluar madhështinë e 29 nëntorit. 29 nëntori e ka fituar betejën e vet. Kështu që mesazhi im është që ne duhet të vazhdojmë të përulemi para gjakut të dëshmorëve. Lufta anti-fashiste ishte një luftë Çlirimtare, e ajo që pasoi ka qenë një diktaturë që ka marrë ndëshkimin e vet në aspektin historik”, tha Balla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: