Mediat greke kanë zbardhur takimin e kryeministrit Edi Rama me homologun e tij Kyriakos Mitsotakis, një ditë para zhvillimit të Samitit të BE-Ballkani Perëndimor.

Sipas mediave greke, thuhet ndër të tjera se Rama i ka kërkuar falje kryeministrit grek lidhur me deklaratën se “Greqia ka mashtruar për të hyrë në Bashkimin Europian”.

Pjesë nga shkrimi i medias greke, Protothema:

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka kërkuar falje kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis për deklaratat e bëra në lidhje me Greqinë, në të cilat tha se vendi “mashtroi për të hyrë në Bashkimin Europian”.

Pasditen e së hënës, dy liderët patën një takim privat në kryeministrinë në Tiranë, në kuadër të vizitës së kryeministrit grek në Shqipëri për Samitin BE-Ballkani Perëndimor. Gjatë takimit të tyre zoti Rama kërkoi falje për deklaratat në fjalë të transmetuara në faqen e Euractiv

“Më falni për disa deklarata të çuditshme që pashë që janë bërë, ato nuk përfaqësojnë situatën në Greqi sigurisht. Shpresoj të mos jeni shqetësuar”, tha kryeministri shqiptar.

Njëkohësisht, ai falënderoi Mitsotakis për vizitën dhe i përcolli kryeministrit grek urimet e tij për festën e emrit të ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias.

Në lidhje me vizitën e shtyrë të Kyriakos Mitsotakis në territoret e minoritetit grek në Shqipëri, Rama tha se “shpresoj që vitin e ardhshëm të gjeni kohë për të vizituar minoritetin grek. Kur u thashë atyre se çfarë dëshironi që ne të bëjmë për ju, ata më thanë, ‘këtë e atë, ose ndryshe na sillni Kyriakos Mitsotakis’. Kështu do të kursejmë edhe para nga buxheti ynë nëse ju vini dhe i vizitoni”.

Nga ana e tij, kryeministri grek vuri në dukje se Greqia mbështet fort perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe vuri në dukje se ka lidhje të forta mes dy vendeve. “Ne kemi çështjen e pakicës dhe demarkacionin e zonave detare, besoj se jemi afër përparimit dhe zgjidhjes së çështjes”, tha Mitsotakis.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: