Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen viziton sot Tiranën. “BalkanWeb” ka zbardhur axhendën e takimeve që zyrtarja e lartë do të ketë me krerët e shtetit.

Gazetari Ergys Gjençaj raporton për “BalkanWeb”, se sot në orën 09:00 pritet që Ursula von der leyen të takohet me kryeministrin Edi Rama në Pallatin e Brigadave, ku do të ketë edhe një ceremoni zyrtare.

Ndërkohë, fill pas takimit me Ramën, presidentja e KE do të takohet me presidentin Ilir Meta në orën 10:00 në Presidencë. Ndërsa rreth orës 11:15 Ursula von der Leyen do të vizitojë një shkollë në Qerek të Krujës ku do bëhet edhe konferenca për shtyp me kryeministrin Rama.

AXHENDA
Përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor që pritet të mbahet më 6 tetor, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të jetë në Ballkanin Perëndimor nga e marta deri të enjten, për të vizituar Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnjën dhe Hercegovina. Presidentja do të nisë udhëtimin e saj në Tiranë, nesër në mëngjes, ku do të pritet nga kryeministri Edi Rama, dhe Presidenti Ilir Meta. Së bashku me Kryeministrin, ajo do të marrë pjesë në përurimin e shkollës ‘Korb Muça’ dhe Kopshtit ‘Europa’, e cila u rindërtua me fondet e BE -së në kuadër të programit EU4Schools pas tërmetit shkatërrues të vitit 2019. Të martën pasdite, ajo do të udhëtojë për në Shkup, ku do të takojë kryeministrin Zoran Zaev, si dhe presidentin Stevo Pendarovski, e ndjekur nga një vizitë në një qendër kulturore rinore, së bashku me kryeministrin Zaev. Të mërkurën në mëngjes, Presidentja von der Leyen do të jetë në Prishtinë, ku do të takohet me Presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Ajo gjithashtu do të vizitojë kopshtin ‘Cicërimat’, i cili u ndërtua me fondet e BE -së, së bashku me kryeministrin.

Presidentja më pas do të udhëtojë për në Podgoricë, ku do të pritet nga Presidenti Milo Đukanovi dhe Kryeministri Zdravko Krivokapić. Gjatë qëndrimit të saj, ajo do të vizitojë Institutin e Shëndetit Publik, i cili mori mbështetjen e BE-së në luftën kundër pandemisë, i shoqëruar nga kryeministri. Më pas, presidentja do të mbërrijë në Beograd, Serbi, ku do të takohet me Presidentin Aleksandar Vuçiç të mërkurën dhe kryeministren Ana Brnabić, të enjten.

Të enjten në mëngjes, së bashku me Presidentin Vuçiç, Presidentja von der Leyen do të marrë pjesë në nisjen e një projekti në Korridorin X hekurudhor. Presidentja gjithashtu do të jetë dëshmitar i nënshkrimit të një kontrate për rehabilitimin e një pjese në Autostradën e Paqes, që po e mbështet BE. Ndalesa e saj e fundit do të jetë Bosnja dhe Hercegovina. Presidenti i Komisionit do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Urës Svilaj që lidh Kroacinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, së bashku me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković dhe Kryetarin e Këshillit të Ministrave, Zoran Tegeltija. Në të njëjtën ditë, në Sarajevë, ajo gjithashtu do të ketë takime me anëtarët e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës. Gjatë vizitës së saj, Presidentja von der Leyen do të japë konferenca për shtyp me udhëheqësit e ndryshëm të Ballkanit Perëndimor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb