Të ngelur pa punë,pa ushqime dhe pa asnjë përkrahje nga bashkia,banorët e lagjes më të varfër të qytetit, lagjes periferike “Uznovë”,bëjnë apel për ndihmë. Pjesa më e madhe e familjeve të kësaj lagjeje ushqehet prej vitesh duke shitur prodhimet e tokave bujqësore, duke punuar si argat në tokat e të tjerëve,duke mbledhur kanaçe apo duke shitur fara luledielli.

Por, për shkak të karantinimit dhe kufizimit të orareve të lëvizjeve prej një muaji,banorët e Uznovës nuk mund të punojnë,ndërkohë që nuk mund as të përfitojnë asgjë nga shteti pasi kanë punuar në të zezë dhe nuk kanë qënë kurrë të siguruar.

Kjo situatë i ka rënuar ata ekonomikisht dhe i ka lënë në skamje totale. Banorët e Uznovës shprehen,se janë në skamje të plotë dhe nuk kanë as ushqim në familjet e tyre. Sipas banorëve,edhe pse çdo ditë flitet se nga ana e bashkive po shpërndahen ndihma për familjet në nevojë, për të sëmurët apo pensionistët e vetmuar,askush nuk ka ardhur në këtë lagje për ti dorëzuar atyre ndihma ushqimore.

“Kemi mbetur pa punë dhe pa ushqim. Ne shisnim kanaçe,prodhime bujqësore etj por tani jemi pa punë dhe askush nuk ka ardhur të na pyes se çfarë nevojash kemi apo të na ndihmojnë me ushqime. Jemi kredhur në borxhe duke marrë “veresije” ushqimet në dyqanet e lagjes dhe sa herë që shkojmë në bashki dhe ankohemi,na përzënë e na shajnë”, -shprehen banorët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb