Për të qenë energjikë, në humor dhe të lumtur duhet të siguroheni që i ofroni trupit tuaj përbërësit më të mirë. Konsumoni frutat si banane, manaferra, por edhe shumë pro-dukte të tjera. Mos e kërkoni lumturinë vetëm te njerëzit që ju rrethojnë, ose te situatat e përditshme. Në fakt, shkenca sugjeron se ju duhet të ushqeheni me produktet e duhura që të shtoni nivelin e mirëqenies dhe atë të lumturisë. Provoni ushqimet që do t’ju japin energji gjatë ditës, do t’ju ulin nivelin e stresit dhe ankthit.

Bananet
Të gjithë e dinë se bananet janë të pasura me kalium, por çfarë mund të mos dini është se ato gjithashtu përmbajnë një kimikat që ndihmon në rregullimin e humorit. Bananet janë një burim i mirë i vitaminës B, të cilën nëse e keni në organizëm me nivele të ulëta, atëherë futeni në depresion.

Manaferrat
Disa shije të caktuara te manaferrat kanë një ngjashmëri kimike me acidin valproik, i cili është në shumicën e ilaçeve që u jepen personave që duhet të stabilizojnë humorin. Po ashtu, një tjetër përbërës shumë i shëndetshëm te manaferrat redukton prekjen nga sëmundjet dhe ul nivelin e depresionit.

Goca e detit
Sipas një studimi të kryer nga ekspertët e fushës, niveli i ulët i zinkut në trup është i lidhur me ankthin. Për të qenë të qetë, konsumoni ushqime të pasura me zink, si për shembull gocat e detit.

Çokollata e zezë
Sipas një studimi nga revista “Shëndeti”, një burim i mirë i antioksidantëve është çokollata e zezë. Ajo do t’ju pakësojë kortizolin, hormonin e stresit.

Salmoni
Salmoni është i mbushur me acide omega-3, të cilët përmirësojnë humorin dhe luftojnë depresionin. Këtë sugjeron një studim i revistës “Kërkimet Farmaceutike”. Salmoni gjithashtu i mban flokët të shkëlqyer.

Shafrani
Erëza indiane është një magji e verdhë për t’ju ngritur humorin, për t’ju bërë të lumtur dhe për pasojë për të reduktuar depresionin. Provojeni dhe do ta përfshini gjithnjë në gatimet tuaja.

Çaji jeshil
Një studim japonez zbuloi se stresi psikologjik ishte më i ulët tek individët që pinin pesë ose më shumë filxhanë çaj jeshil në ditë. Megjithatë, edhe sasi më të vogla do t’ju ndihmojnë patjetër.

Mollët
“Një mollë në ditë mban larg doktorin”, thotë shprehja e famshme. Por e vërteta është se kur konsumojmë fruta si molla, ato na japin një efekt qetësues, krijojnë më tepër energji dhe rritin nivelin e përgjithshëm të lumturisë. Këtë gjë e rekomandojnë edhe kërkuesit britanikë.

Spinaqi
Spinaqi përmban acid folik, i cili largon depresionin dhe pakëson ndjesinë e dobësisë së përgjithshme. Përpiquni ta përdorni spinaqin në gatimet tuaja, duke u dhënë atyre tjetër pamje dhe të tjera vlera ushqimore.

Kërpudhat
Sipas një studimi të Universitetit të Melburnit, niveli i ulët i vitaminës D është i lidhur me depresionin. Shtojeni larminë e produkteve në tryezat tuaja duke gatuar kërpudha, pasi kanë shumë vitaminë D.

Kafeja
Nuk është një sekret që kafeja të rrit lumturinë, pasi shumë persona e përdorin si sekretin e energjisë në fillim të çdo dite. Me rritjen e konsumit të kafesë, ulet dhe rreziku i prekjes nga depresioni.

Fasulet
Sipas Departamentit Amerikan të Bujqësisë, nivelet e ulëta të magnezit lidhen me energjinë e paktë. Konsumoni ushqime të pasura me magnez, si për shembull fasulet dhe do të ndiheni shumë energjik gjatë gjithë ditës.

Arrat
Konsumi i arrave mund të përmirësojë funksionimin e trurit. Nivelet e larta të antioksidantëve, vitaminat dhe mineralet tek arrat bëjnë mrekullinë e lumturisë në trupin tuaj. Gjithashtu, arrat janë të pasura me një acid që është bazë për omega-3.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: