Nga OLA MITRE*

Konsumatorët duhet të shmangin blerjen e produkteve nëpër trotuare dhe të drejtohen nëpër dyqanet apo marketet e licencuara nga AKU, pasi vetëm te këto subjekte tregtohen produkte të sigurta”. Deklarata vjen nga Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Afrim Bakaj, i cili bën me dije se gjatë vitit 2014, institucioni që ai drejton ka kryer 14 mijë më shumë inspektime se një vit më parë.

Z. Bakaj, sa të sigurt janë qytetarët shqiptarë në drejtim të ushqimeve që konsumojnë?

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për vitin 2014 ka bërë një punë shumë të mirë në drejtim të sigurisë ushqimore. Nga kontrollet e vazhdueshme që janë bërë në gjithë territorin shqiptar nëpër subjektet ushqimore, ka një ndryshim të theksuar në cilësinë dhe sasinë e tyre. Në vitin 2013 u bënë 25 mijë inspektime, ndërsa për vitin 2014 janë bërë 39 212 inspektime. Ky është një ndryshim shumë i dukshëm: gati 14 000 inspektime më shumë, të cilat tregojnë edhe nivelin dhe kontrollin në gjithë territorin e Shqipërisë. Ne sot arrijmë të kontrollojmë çdo subjekt që merret me produktet ushqimore. Unë dua të siguroj qytetarët shqiptarë se siguria e ushqimit, me masat e marra, ka arritur të jetë e lartë.

Sa masa penalizuese janë ndërmarrë?

Gjatë vitit 2014 ne kemi vendosur 353 gjoba, me një vlerë prej 186 milionë lekësh të vjetra. Vendosja e gjobave nuk ka qenë parim i punës së AKU-së, sepse kemi paralajmëruar 338 subjektet për masat që duhet të marrin. Po ashtu, kemi bërë 586 bllokime të aktivitetit, të cilat prodhojnë në kushte jo të përshtatshme me legjislacionin shqiptar. Unë dua të theksoj, që këto bllokime kanë ardhur si pasojë e një kontrolli të vazhdueshëm dhe kur kemi parë që këto subjekte janë të pandërgjegjshme apo nuk punojnë në bazë të ligjeve shqiptare, i kemi mbyllur. Kjo nuk është një shifër e vogël, por duhet të kuptojmë se, nga 423 punonjës që kemi në strukturën e AKU-së, 286 janë inspektorë që bëjnë kontrolle të përgjithshme në terren. Po ashtu, kemi ushtruar kontrolle nëpër dyqane apo supermarkete ku tregtohen ushqime të garantuara. Këtu dua të theksoj se tregjet e licencuara nga AKU kanë ushqime të sigurta. Ne duam t’u bëjmë thirrje konsumatorëve shqiptarë që të konsumojnë produkte, të cilat janë me etiketa, janë të vendosura nëpër dyqane të licencuara, nuk duhet të blejnë nëpër rrugë apo vende të cilat nuk janë të kontrolluara nga AKU-ja (trotuare, rrugë nacionale etj.), sepse ato me të vërtetë mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve.

Cilat janë produktet ushqimore ndaj të cilave duhet pasur më tepër kujdes?

Dy janë produktet që kanë risk më të lartë: mishi dhe qumështi. Për sa i përket qumështit, ne garantojmë që gjithë stabilimentet tona punojnë në kushte jashtëzakonisht të mira, me teknologji të përparuara. Ndërsa, për sa i përket mishit, duket ndryshimi për therjen dhe tregtimin e tij. Është eliminuar therja e tij nëpër rrugë apo trotuare. Njëkohësisht ai tregtohet nëpër dyqane me certifikatë veterinare dhe kushte që ne i kemi kontrolluar. Para dy vitesh nuk bëhej fjalë për kushte higjieno-sanitare.

Cili është numri i subjekteve dhe periodiciteti i kontrolleve që ushtron AKU-ja?

Në Shqipëri sot operojnë 21 320 subjekte, që merren drejtpërdrejt me ushqimin e që kontrollohen nga 286 inspektorë. Mendoj se numri i tyre nuk është i mjaftueshëm, por ata bëjnë një punë shumë të madhe, pasi arrijnë t’i kontrollojnë. Subjektet “bare dhe restorante” ne i kontrollojmë 1 herë në vit sepse janë me risk të ulët. Ndërsa stabilimentet apo marketet e mëdha, që janë me risk të lartë, i kontrollojmë më shpesh. Stabilimentet e peshkut i kontrollojmë një herë në muaj, ndërsa supermarketet 2 ose 4 herë në vit. Ne kemi arritur të bëjmë edhe një plan vjetor se kur do t’u shkojmë operatorëve ushqimorë për kontroll. Çdo sektor planifikon se sa herë do t’i shkojmë një stabilimenti, një dyqani apo një subjekti tjetër ushqimor.

Nga inspektimet tuaja, cilat janë qytetet më problematike?

Problematike janë Tirana, Durrësi dhe Elbasani, pasi kanë pothuajse gjysmën e operatorëve të biznesit ushqimor, me gati 13 mijë operatorë. Është një numër shumë i madh, por inspektorët i kemi të paktë.

A ka denoncime nga qytetarët dhe si trajtohen ato?

Pothuajse çdo ditë kemi denoncime me rreth 100 të tilla, që vijnë në numrin tonë 0800 75 75, dhe këto denoncime ka një sektor që i përpunon. Më pas bëhet një program i veçantë, ku drejtoritë rajonale dhe sektorët përkatës në Drejtorinë e Përgjithshme bëjnë inspektime konkrete për denoncimet, të cilat në ndonjë rast edhe mund të jenë false apo inekzistente. Por, këto denoncime kanë sjellë edhe rezultate pozitive në punën tonë, pasi në disa raste me të vërtetë kanë pasur ushqime të skaduara.

Si mbulohet ky numër i lartë denoncimesh nga numri i inspektorëve, që, siç thatë edhe ju, është i pamjaftueshëm?

Ne kemi vënë në punë edhe inspektorët e drejtorisë së përgjithshme dhe këto denoncime janë futur edhe në programin tonë vjetor të inspektimeve. Kjo pasi, për operatorët e biznesit, për të cilët bëhen denoncimet, ne kemi programet tona për t’iu shkuar për inspektim. Atëherë bëjmë bashkërendimin e inspektimit me denoncimin. Ne e kemi të ndaluar edhe me ligj, që nuk mund t’i shkojmë më shumë se 15 herë një subjekti. Pra, kjo bën dhe kufizimin e inspektimeve tona. Por, nëse kemi denoncime dhe iu është konsumuar numri i inspektimeve, ne përsëri, jashtë programit, mund të bëjmë inspektime, sepse në radhë të parë për ne është shëndeti i konsumatorëve.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: