TIRANE – Përfaqësues ushtarakë kombëtarë pranë Komandës Strategjike të NATO për Operacionet, janë duke zhvilluar një vizitë zyrtare disaditore në vendin tonë.

Qëllimi i vizitës është njohja me zhvillimet e fundit në Forcat e Armatosura të RSH, diskutimi i çështjeve të sigurisë e parë nga perspektiva Shqipërisë, mirënjohja e kontributit të Shqipërisë në operacionet e NATO-s ISAF, KFOR, Resolute Support dhe mbështetja e FARSH për përmbushjen e angazhimeve në kuadër të NATO.

Diskutimi i këtyre çështjeve ishin objekt i takimit që gjeneralmajor Jeronim Bazo, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA pati me gjeneral brigade Reinhard Kuhn, përfaqësues ushtarak i Gjermanisë, njëkohësisht edhe dekan i Përfaqësuesve ushtarakë kombëtarë pranë Komandës Strategjike të NATO.

Gjeneral Bazo pasi iu ka uruar mirëseardhjen në vendin tonë, i ka falënderuar për mbështetjen që vendet e aleancës i kanë dhënë Shqipërisë dhe kryesisht Forcave tona të Armatosura, ka ritheksuar edhe njëherë se Forcat e Armatosura Shqiptare janë dhe do jenë përherë në krah të Aleancës dhe në shërbim të paqes dhe sigurisë në rajon e më gjerë.

Më tej, me anë të një prezantimi përfaqësuesit ushtarak kombëtarë të vendeve të Aleancës u njohën me zhvillimet më të fundit, sfidat dhe angazhimet kryesore të Forcave të Armatosura Shqiptare. Disa nga këto aspekte, përfaqësuesit ushtarak do të njihen nga afër edhe gjatë vizitave në repartet dhe njësitë kryesore të FARSH.

Axhenda e vizitës do të vijojë edhe me zhvillimin e vizitave të ndryshme në vende historike dhe muzeve, për t’u njohur më nga afër me kulturën dhe traditën e vendit tonë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: