NGA OLA MITRE

TIRANE- Ushtarakëve që rezultojë debitorë si pasojë e rillogaritjes së pensioneve suplementare, do u kthehen paratë e paguara deri më tani”. Propozimi është bërë nga relatorja e projektligjit “Për faljen e detyrimeve që kanë ish-ushtarakët në skemën e pensioneve suplementare nga rillogaritja e pensioneve”, Antoneta Dhima, gjatë diskutimit në Komisionin parlamentar të Ekonomisë. Propozimi mori përkrahjen e deputetëve dhe ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, ndërkohë që gjatë kësaj jave do të bëhet formulimi i nenit të ri, për t’i hapur më pas rrugën diskutimit në komisionet parlamentare, e më pas miratimit në seancë plenare.

KTHIMI I PARAVE
Teksa iu referua shifrave, Dhima kërkoi që debitë e paguara deri më tani t’u kthehen ushtarakëve brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit të ri. “Duke qenë se legjislacioni ka qenë jo i qëndrueshëm dhe me efekte prapavepruese, por edhe zbatimi i tij ka pasur problematika administrative, Këshilli i Ministrave kërkon faljen e detyrimeve debitore për ish-ushtarakët. Deri në fund të muajit shkurt 2016 janë 5.425 ushtarakë debitorë, me një shumë detyrimi për t’u shlyer prej 985 milionë lekësh. Nga viti 2010 deri në shkurt 2015 janë shlyer 369 milionë lekë. Propozoj që shuma e detyrimeve debitore prej 985 milionë lekësh si dhe shuma, e cila është ndarë në 369 mln lekë, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji t’u kthehet ish-ushtarakëve”, – u shpreh Dhima.

Ndërkaq, kryetari i komisionit, Erion Braçe kërkoi adresimin e kërkesës së relatores së projektligjit, me qëllim zgjidhjen përfundimtare të problemit. “Relatorja e komisionit ngriti një çështje që ka të bëjë me debitë e paguara deri tani për një kategori tjetër ish-ushtarakësh. Ne do të donim që kjo çështje të adresohej përfundimisht, me qëllim që të zgjidhet njëherë e mirë e të vendosen të gjithë në pozitë të barabartë. Ky është një ligj që rregullon një padrejtësi, me veprime politike të njëpasnjëshme të ndërmarra nga qeveria e Sali Berishës, ashtu siç synon të korrigjojë përfundimisht çështjet e mosveprimit të administratës. Kështu që do të donim që e gjithë fasha të përfshihet në rregullimet e këtij ligji dhe, natyrisht, të gjithë të përfitojnë nga falja e detyrimeve të krijuara si pasojë e këtyre dy veprimeve”, – u shpreh Braçe. Për këtë arsye, Komisioni i Ekonomisë miratoi vetëm në parim projektligjin, për të pritur riformulimin përkatës.

“Do të presim riformulimet gjatë kësaj jave, me qëllim që të hënën e javës tjetër të mbyllim përfundimisht ligjin nen për nen, pasi të enjten e javës tjetër është në parlament”, – tha Braçe. Nga ana tjetër, kreu i komisionit kërkoi edhe hartimin e një ligji për të mbrojtur ish-ushtarakët nga çdo sulm ideologjik që i ka dëmtuar financiarisht nga 2006-2013. Ndërkaq, propozimi për kthimin e debive të paguara deri më tani u përkrah edhe nga ministri Blendi Klosi. “Do shqyrtojmë kërkesën që vjen nga Komisioni i Ekonomisë, por në parim ne jemi dakord, pasi kështu zgjidhim përfundimisht një problem shumë të madh. Këtë e themi me bindje, pasi i kemi mundësitë financiare, sepse po bëjmë reforma në këtë sistem dhe ky sistem do të ofrojë më shumë mundësi financiare. Për rikthimin e vlerës së atyre debitorëve që kanë ardhur si pasojë e keqqeverisjes, ne shprehemi dakord”, – u shpreh Klosi.

FALJA
Sipas këtij projektligji, parashikohet falja e debive të 5.425 ushtarakëve, të cilëve çdo muaj iu mbahet një pjesë e pensionit si pasojë e rillogaritjes së tij. Sipas përfaqësuesit të Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë, Kujtim Çako, aktualisht Instituti i Sigurimeve Shoqërore mban nga pensioni i çdo ushtaraku 20-25% të pagesës mujore, duke i kthyer debitorë deri pas vdekjes. “Ky është një paradoks shumë i madh, kur këtu po falen kamatëvonesa, për ujin, për drita, të burgosur, ndërsa ushtarakët penalizohen”, ka thënë ai. Projektligji i miratuar në qeveri pak javë më parë nuk parashikonte kthim të parave të paguara, por vetëm faljen e debive të mbetura e të krijuara si pasojë e rillogaritjes së pensionit suplementar.

Në momentin e publikimit të projektligjit, ai u kundërshtua nga shoqatat e ushtarakëve, të cilët kërkuan jo vetëm faljen e debive, por edhe kthimin e parave. Sipas të dhënave, nga pensionet e rillogaritura për mbi 20 mijë ushtarakë u evidentuan 6.738 debitorë ose 35% e ushtarakëve, me një shumë 1.3 miliardë lekë, ndërkohë që falja e detyrimit synon të zgjidhë problematikën shumëvjeçare që është krijuar me këtë kategori si pasojë e ndryshimeve të shumta ligjore.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: