GREQI- “Kushdo që nuk ndihet grek, do të kthehet në vendin e tij”, kjo është deklarata e ministrit grek të Mbrojtjes Panos Kamenos, teksa komentoi foton e ushtarëve që krijonin me duar shqiponjën, simbolin e shqiptarëve.

Këtë deklaratë ministri i Mbrojtjes e bëri në qendrën e trajnimit të rekrutëve në Missolonghi, pikërisht aty ku disa ushtarë me origjinë shqiptare, të veshur me uniformë ushtarake greke, formuan shqiponjën me duar dhe dolën në foto.

“Ngjarje të tilla nuk do të tolerohen në Forcat e Armatosura dhe për këtë është urdhëruar një hetim i detajuar, me mandat për të shqiptuar dënime të rrepta mbi rekrutët,” tha Ministri i Mbrojtjes, i cili ka kërkuar dënime të ashpra për ushtarët.

Ai fajësoi PASOK dhe kryeministrin Simitis për dhënien e shtetësisë greke për shqiptarët, që sipas tij është dhënë masivisht, pa kontroll dhe vetëm për qëllime elektorale.

Ndërkohë mediat që iu referohen hetimeve thonë se 7 shqiptarët janë rekrutë të rinj dhe sipas afateve duhet të betohen në muajin shkurt. Po sipas mediave, zyrtarët ushtarakë theksojnë se për rekrutët duhet të shqiptohet një dënim i tillë, për të penguar imitimin e veprimit dhe për të dhënë mesazhin e duhur.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb