Ushtarët ukrainas kanë rifituar terren pranë qytetit të Bakhmutit, tha presidenti Volodymyr Zelensky, pasi Moska pranoi se disa nga forcat e saj ishin larguar nga zona. “Përpjekjet dërrmuese të trupave ukrainase çuan në ndalimin e palës ruse në disa zona”, tha Zelensky në Telegram.

Ai shtoi se situata ishte nën kontroll në seksione të tjera të vijës së frontit. “Mbrojtësit tanë kanë avancuar dy kilometra në Bakhmut”, shkroi zëvendësministrja e Mbrojtjes, Hanna Maliar në Telegram. Ajo tha se asnjë pozicion nuk ishte braktisur në vetë qytet gjatë javës dhe se humbje të mëdha i ishin shkaktuar armikut rus.

Në Moskë, zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov pranoi një tërheqje të njësive ruse në veriperëndim të Bakhmutit, pranë fshatit Berkhivka, por e përshkroi atë si një ripozicionim. “Për të rritur aftësinë mbrojtëse, njësitë ruse kishin lëvizur në një linjë të re përgjatë rezervuarit të Berkhivkas”, tha ai.

Ai gjithashtu pretendoi se forcat ruse kishin zmbrapsur sulmet ukrainase pranë qytetit Soledar, rreth 10 kilometra në veri të Bakhmutit dhe se nuk kishte pasur asnjë përparim atje nga trupat ukrainase. Disa reporterë rusë të luftës dhe blogerë ushtarakë kanë raportuar sulme të suksesshme nga trupat ukrainase pranë Bakhmutit së bashku me spekulimet për fillimin e kundërofensive të shumëpritur të Kievit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb