LONDER – Ushtari britanik Chris Scott mund të konsiderohet një hero, pasi ka zbuluar mbi 100 bomba të fshehura nën tokë në provincën Helmand, në Afganistan. Në kohën kur ushtari Chris Scott bëri turin e tij të parë në Afganistan në shtator 2011, ishte vetëm 20 vjeç dhe në atë kohë ishin ndërmarrë masa për t’i gjetur bombat nga ushtria britanike.

Scott-it iu dha puna si njeriu kryesor për të prirë ecjen e 30 ushtarëve të tjerë që patrullonin pas tij për bomba të rrezikshme. I armatosur me një detektor minash, Scott kërkonte zonën për pajisje, por ishte edhe përgjegjës për jetët e të tjerëve, duke e bërë kështu situatën më të vështirë. Talebanët linin një lloj shenje pranë vendit ku kishin vënë minën, në mënyrë që të kujtoheshin për bombat që kishin vënë. Nëse ndonjë gjë dukej e dyshimtë, Scott hetonte më parë nga afër dhe ishte i pari nga e gjithë skuadra e tij që përparonte.

“Nuk mund ta humbje mendjen. Nëse çmendeshe nga presioni i madh, nuk të bëhej as të dilje nga shtrati. Presioni ishte i pabesueshëm. Duhet të zgjasësh duart teksa je shtrirë përtokë, në mënyrë që t’i qëndrosh sa më larg të jetë e mundur shpërthimit, e mbi të gjitha të ruash fytyrën. Më pas, shpreson që çdo gjë të shkojë siç duhet. Duart të lëvizin ngadalë nga guri në gur dhe pluhuri është bekim krahasuar me atë që mund të gjesh. Nëse nuk gjeja ndonjë gjë, i lajmëroja të tjerët se gjithçka ishte në rregull dhe qetësohesha edhe vetë. Nëse unë do të thosha që terreni është i pastër dhe mund të ndodhte që ndonjë person që ishte pas meje të shpërthente nga ndonjë bombë, kjo do të ishte e tmerrshme për mua”,- rrëfehet Scott.

Përgjatë gjashtë muajve që Scott kaloi në Afganistan, ai zbuloi mbi 100 bomba, të cilat më pas u çaktivizuan duke shpëtuar kështu shumë jetë njerëzish. “Kur gjen një bombë, ndihesh i plotësuar. Mendon se gjete diçka që mund të të vriste, por ti e gjete, ndaj nuk mund të të vrasë”,- tregon ai.

Misioni i fundit i tij nuk ishte aspak i mirë. Gjatë një aksioni kontrolli, papritur gjithçka shpërtheu. Tre ushtarët që patrullonin, mes tyre edhe Scott, u goditën nga një shpërthim masiv. Njëri prej tyre humbi jetën, dy të tjerë shpëtuan. Scott thotë se nuk do ta harrojë kurrë misionin e fundit, duke fajësuar veten se duhet të siguroheshe që ajo fatkeqësi të mos ndodhte.

(er.nu/bbc/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: