PALESTINË-Një ushtar izraelit ka qëlluar me plumb gome një 5-vjeçar palestinez, duke i shkaktuar një frakturë të rëndë në kafkë dhe një plagë të madhe në sy.
Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në një fshat arab lë lindje të Jerusalemit. Incidenti ndodhi kur djaloshi 5-vjeçar Muhamedi Jamal Ubeid së bashku me motrën e tij 14-vjeçare zbritën nga autobusi i shkollës dhe u drejtuan për në shtëpi duke ecur në këmbë.
“Një ushtar izraelit i veshur me të zeza qëlloi me plumb në sy fëmijën nga një distancë e afërt, duke e plagosur rëndë në sy”, tha xhaxhai i të miturit.
5-vjeçari u dërgua menjëherë pranë qendrës mjekësore Hadasahun në malin Scopus. Mjekët thanë se djali kishte një frakturë në kockën poshtë syrit të tij.
Ai iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale dhe tashmë ndodhet në gjendje të mirë.
“Ai është një fëmijë i pafajshëm, ai nuk bëri asgjë. Pse duhet të ndodhë kjo, jam me të vërtetë e shqetësuar për djalin tim”, tha e ëma e djalit.
“Ai është vetëm 5 vjeç, ai nuk kishte as armë, telefon, dhe asgjë tjetër. Ky është racizëm, ata duan të na vrasin sepse na urrejnë. Ne jemi palestinezë dhe ata na urrejnë”, tha babai.
Ky nuk është rasti i parë në Jeruzalemin Lindor ku fëmijët dhe njerëzit e rritur bien viktima të ushtarëve izraelitë. Shumë njerëz kanë vdekur dhe kjo nxitur edhe përplasjet e radhës me dy shteteve.

(d.d./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: