TIRANË- Dy ministra të qeverisë Rama, ministrja e mbrojtjes Mimi Kodheli dhe ai Brendshëm Saimir Tahiri janë shprehur sot kundër propozimit të ministrit të LSI-së në drejtësi, Ylli Manjanit që kërkoi pak ditë më parë t’i jepet fund luftës ndaj kultivimit të bimëve narkotike, duke nxjerrë në terren ushtrinë.

E pyetur nga gazetarët, pak para se të hynte në sallën e Kuvendit, ministrja Kodheli i ka kthyer një tjetër përgjigje Manjanit por edhe ish-deputetit të PD-së, Tritan Shehu, i cili gjithashtu ka mbështetur idenë e ndërhyrjes së ushtrisë në luftën anti-kanabis .

“Në një demokraci funksionale kushdo duhet të bëjë detyrat që iu takojnë, në këtë rast ministria e mbrojtjes i’u jap sqarime për çështje të sigurisë. Mirëpres kritikat që kanë të bëjnë me zgjidhjen e emergjencave. Jam më shumë se dëshirëplot që t’i jap përgjigje kritikuesve që lëshojnë batuta nga kolltuqet dhe sallonet. Ushtria funksionon në një mënyrë të caktuar sa herë ka pasur emergjenca”

Më tej, Kodheli sqaroi se: “Emergjenca konsiderohet në rrugë institucionele, ka një strukturë që quhet këshilli i ministrave që vlerëson çfarë quhet emergjencë”.

Ndërsa ministri Tahiri ishte i mendimit që punët nuk duhen bërë me konferenca, por me masa reale në terren.

“Eshtë propozim i pasaktë por hyn tek propozimet e dëshirës së mirë. Puna jonë nuk bëhet përmes konferencave të shtypit por duke marrë masat e nevojshme…Me Manjanin besoj do gjejmë gjuhën shumë shpejt për miratimin e këtyre ndryshimeve në Kodin Penal. Jam shumë i hapur për propozimet e çdokujt, jo më të një kolegu tim sugjerimin e të cilit e mirëpres në cdo kohë”, tha Tahiri, duke shpresuar që propozimet që ai do i dërgojë Qeverisë për ndryshimet në Kodin Penal në përshkallëzimin e fajit dhe dënimit për ata që kultivojnë dhe trafikojnë drogën, të gjejnë edhe mirëkuptimin e Manjanit si ministër i Drejtësisë.

(ma.ar/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: