SIRI- Pjesëtarët e ushtrisë turke nën shoqërimin e tankeve dhe automjeteve të tjera të blinduara kanë hyrë mbrëmë në Siri në mënyrë që nga enklava turke në territorin e vendit fqinj të zhvendosë eshtrat e Sulejman Shahut, gjyshit të themeluesit të Perandorisë Osmane, ka konfirmuar kryeministri turk, Ahmet Davutoglu.
“Aksioni ishte i suksesshëm dhe njësia speciale ushtarake që ishte duke e ruajtur varrin u kthye në shtëpi”, ka thënë Davutoglu. Në fillim të aksionit është vrarë një ushtar, por siç tha kryeministri turk, përveç kësaj nuk ka pasur pengesa të tjera të hyrjes së ushtrisë në Siri.
Tyrbja e Sulejman Shahut ndodhet në rajonin sirian Aleppo dhe bëhet fjalë për të vetmin territor sovran të Republikës së Turqisë jashtë kufijve të saj. Ky është vend ku valon flamuri turk dhe territori që ruan ushtria turke.
Këtu është varrosur Sulejman Shah, gjyshi i themeluesit të Perandorisë Osmane, Osmanit të parë. Më parë pjesëtarët e ushtrisë turke të cilën kanë ruajtur tyrben në enklavën e vetme të Turqisë jashtë kufijve të saj janë ballafaquar me sulmet e pjesëtarëve të organizatës terroriste ISIL, të cilët e kanë rrethuar zonën ku ndodhet tyrbeja.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb