Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase ka thënë se forcat shtetërore janë duke vazhduar luftimet në rajonin lindor Donjeck, derisa në jug, trupat ruse kanë forcuar pozicionet e tyre dhe kanë bombarduar Hersonin.

Forcat ukrainase kanë rikthyer kontrollin e Hersonit muajin e kaluar.

Në pjesën më të madhe të Ukrainës, punëtorët teknikë janë duke punuar për të rikthyer furnizimet me energji, pas dëmeve të mëdha në rrjet që kanë shkaktuar bombardimet ruse.

Për pasojë, miliona njerëz kanë mbetur pa rrymë, teksa temperaturat sa shkojnë e ulen.

Sipas ushtrisë ukrainase, Donjecku mbetet zona ku po zhvillohen luftimet më të ashpra.

Sipas saj, trupat ushtarake ruse janë duke krijuar linja të mbrojtjes në drejtim të qytezës së Limanit, dhe se ato janë duke u përforcuar me personel, municion dhe naftë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Ukraina është duke marrë hapa shtesë për të luftuar veprimet e ushtrisë ruse, por pa dhënë më shumë hollësi.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë janë zotuar për më shumë ndihmë financiare dhe dërgim të pajisjeve ushtarake në Ukrainë, për të rritur kapacitetet e Kievit për luftë.

Ata i kanë bërë të ditura këto qëndrime pas një takimi që kanë zhvilluar ministrat e Jashtëm të NATO-s në Bukuresht.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë në fund të takimit në Bukuresht se strategjia e Rusisë për shënjestrim të infrastrukturës ukrainase të energjisë nuk do të përçajë mbështetësit e Ukrainës.

Lufta në këtë shtet ka nisur më 24 shkurt të këtij viti.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: