5 persona kanë rënë në pranga nga efektivët e policisë së komisariatit numër 2 në kryeqytet teksa 4 të tjerë janë proceduar penalisht.
Sipas informacioneve nga Policia, të arrestuarit dhe të proceduarit ushtronin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në një lokal në rrugën Sami Frashëri.
Teksa gjatë operacionit policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 1 tavolinë e përshtatur për lojëra fati (poker) dhe çipsa, aparate celulare, dhe shuma të ndryshme parash.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/ Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2 operacioni policor i koduar “Poker 3”.
Arrestohen 5 shtetas që u kapën në flagrancë duke organizuar lojëra në kundërshtim me ligjin, në një lokal në rrugën “Sami Frashëri”.
Procedohen në gjendje të lirë 4 shtetas të tjerë.
Sekuestrohen 1 tavolinë e përshtatur për lojëra fati (poker) dhe çipsa, aparate celulare, dhe shuma të ndryshme parash të përfituara nga kjo veprimtari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative për një rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Poker 3”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit G. M., 43 vjeç, D. Z., 40 vjeç, N. Ll., 43 vjeç, H. Ll., 38 vjeç, A. Sh., 38 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, parashikuar nga neni 197 i Kodit Penal.
Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit: B. G., 34 vjeç, A. S., 28 vjeç, B. M., 31 vjeç, të tre banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal; L. G., 39 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, parashikuar nga neni 198 i Kodit Penal.
Gjatë kontrolleve të ushtruara, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë duke luajtur lojëra fati në kundërshtim me ligjin, shtetasit e arrestuar, në një lokal në administrim nga shtetasi L. G., ndërsa 3 shtetasit e proceduar në gjendje të lirë, kanë pasur dijeni për ushtrimin e kësaj veprimtarie dhe nuk kanë kallëzuar pranë organeve kompetente.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 tavolinë e përshtatur për lojëra fati (poker) dhe çipsa, aparate celulare, dhe shuma të ndryshme parash të përfituara nga kjo veprimtari.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
(BalkanWeb)