DURRËS

Policia e Durrësit ka arrestuar disa persona për vepra të ndryshme penale. Dy gra kanë përfunduar në pranga për prostitucion, një 39-vjeçar për kultivim narkotikësh, si dhe një 29-vjeçar për plagosje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të punës për kapjen e personave dhe vënien e tyre para përgjegjësive ligjore, kapën dhe ndaluan shtetasin L. A, 39 vjeç, banues në Krujë. Gjykata e Shkallës së Parë Krujë për këtë shtetas ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, shtetasin L.P., 29 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas dyshohet se në lagjen Nr.14, Durrës, tek tregu i makinave ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin K.K., 29 vjeç, banues në lagjen Nr.14, Durrës, i cili ndodhet në spitalin Durrës, nën kujdesin e mjekëve.

Po nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës u arrestuan në flagrancë 2 shtetase 29 e 38 vjeçe për veprën penale “Prostitucioni”, pasi janë kapur në lagjen Nr.14 tek “Ura e Dajlanit” duke ushtruar prostitucion.

Materialet i kaluan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb