12 mijë studentë hodhën kapelet në një ndër ceremonitë më të mëdha të diplomimit të gjithë historinë e arsimit shqiptar. Është vetëm një pjesë e vogël në rrugëtimin e dijes, por më domethënësja në drejtimin për të ardhmen. Studentët e sapodiplomuar në dy ciklet Bachelor dhe Master nga 6 fakultetet e Universitetit të Tiranës do e mbajnë mend gjatë ceremoninë e organizuar në stadiumin “Air Albania”.

Në këtë ditë të shenjuar të jetës së tyre, morën urime dhe përgëzime, por edhe këshilla të vyera. Për rektorin profesor Artan Hoxha, Universiteti i Tiranës ka dëshmuar se ka të gjithë potencialin për të përgatitur breza të denjë profesionistësh, të cilët nuk kanë në duar thjesht një diplome që dëshmon se kanë mbyllur shkollën e lartë, por një dokument i cili u jep siguri për një karrierë që do të ketë progres në të ardhmen. Ministrja i Arsimit Evis Kushi në fjalën e saj theksoi se Shqipëria ka nevojë për të rinj të përgatitur për t’u përshtatur në tregun e punës teksa u shpreh se ndihej krenare për 12 mijë studentët e diplomuar.
E ftuar speciale në ceremoninë e diplomimit në stadiumin “Air Albania”, ishte ish përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini. Sot Mogherini është rektore e Kolegjit të Europës.
Në mesazhin drejtuar studentëve, Mogherini tha se ata janë gjenerata që e bëjë Shqipërinë pjesë të Unionit përmes dijes dhe potencialit që mbart.

“Jam optimiste, besoj fort tek ju, jam absolutisht e sigurt se ju jeni gjenerata që do e çoni Shqipërinë në BE. Për ta bërë këtë duhet dija dhe puna juaj. Institucionet janë të rëndësishme, por më shumë të rëndësishëm se institucionet janë njerëzit. Unë e di se e ardhmja juaj e afërt është në Bashkimin Europian. Këshilla ime është qe me diplomimin tuaj sot ju keni fuqi ne duart tuaja, përdoreni për te formësuar jetën tuaj por edhe te Shqipërisë e të Europës. Kush ju thotë që do bëheni një ditë pjesë e Europës, une i them jo, ju jeni tashmë pjesë e saj”,- tha Mogherini para 12.000 studentëve. Përveç mijëra prindërve të emocionuar, të pranishëm në stadium ishin drejtues të institucioneve e personalitete të shquara te jetës publike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb