Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi pasi vizitoi dy ushtarët e plagosur pas sulmit të një rusi, që tentoi të futej në uzinën e armëve në Gramsh, ka dhënë një prononcim për mediat.

Në një komunikim për mediat Peleshi sqaroi ngjarjen, ndërsa pohoi se bëhej fjalë për tre të huaj që ndodheshin prej disa ditësh në vend dhe se kanë qenë nën vëzhgim.

“Këtë komunikim dua ta filloj me një falenderim shumë të sinqertë për të gjitha mediat, për pasqyrimin me korrektesë dhe profesionalizëm, ndjeshmëri dhe qytetari që i keni bërë ngjarjes. Unë sapo vizitova dy ushtarakët, Aldon dhe Ardianin të cilët prej ditës së djeshme janë shtruar në pavionin e toksiokologjisë. Gjendja e tyre shëndetësore është e mirë, kanë kaluar një natë të qetë dhe sot janë gati për të dalë.

Ngjarjen e djeshme duhet ta presim të gjithë të zbardhet por unë po e përmbledh atë që ka ndodhur dhe nga dëshmia e ushtarakëve.
Tre shtetas të huaj u janë afruar ish-uzinës ushtarake të Gramshit. Them ish sepse prej vitesh ajo uzinë nuk ka aktivitet. Një prej shtetasve të huaj ka kapërcyer rrethimin në mënyrë të paligjshme. Në këtë moment dy ushtarakët duke u ngritur ne nivelin dhe përgjegjësinë e detyrës e kanë parandaluar. Shtetasi rus ka reaguar fizikisht, ka përdorur edhe një spray që ka shkatuar edhe lëndim, por pavarësisht lëndimit dy ushtarakët kanë njoftuar Policinë e Shtetit. Policia ka reaguar shumë shpejt dhe ka bërë të mundur ndalimin dhe arrestimin e këtij shtetasi të huaj. Më pas jo shumë larg nga Uzina e Gramshit janë ndaluar edhe dy shtetasit e tjerë, të cilët ndodheshin në një makinë. Padyshim që e vendosur edhe në kontekstin e gjërë rajonal edhe në kontekstin politik duhet vlerësuar dhe nuk mund të kalojë si një incident i zakonshëm, por ne nuk mund të nxitohemi të nxjerrim konkluzione, por gjithsesi fakti që është reaguar dhunshëm nga këta shtetas të huaj na bën të jemi më të vëmendshëm për ta hetuar deri në fund. Janë shumë struktura që do të punojnë që nga inteligjenca jonë ushtarake, Policia Ushtarake, Shërbimi Infotmativ Shtetëror, Policia e Shtetit, Antiterrori. Tani janë në pyetje dhe hetim që të tre shteatasit e huaj që si e thashë mbajnë pasaporta ruse dhe ukrainase. Presim të shohim.”, tha Peleshi.

Pyetjes se; Çfarë kanë deklaruar? Peleshi shtoi se: “Do ketë sot për pak një deklaratë për ecururinë e hetimeve nuk mund të zbardh më tepër, duhet të bëjmë pak durim. Jam shumë falenderues për mediat, natyrisht distancohem nga çdo spekullim politik. Është jo normale që ngjarje të tilla ti trajtojmë sikur të ishte politika lokale e ditës. Sepse këto janë kritike sidomos edhe deklarime sidomos të faktorve politikë, deklarime të institucioneve shtetërore vërehen, analizohen, komentohen dhe mund të kthehen edhe në një problem shumë më të madh se vetë ngjarja.”.

Po ashtu, Peleshi hodhi poshtë zërat, sipas të cilëve, Uzina kishte tre vite pa energji elektrike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: