Vrasja e vajzës së Alexander Dugin, një nga aleatëve më të ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin ditën e djeshme , ka tronditur opinionin publik.

Atentati u mor përsipër nga një grup i panjohur më parë i rezistencës kombëtare në Rusi, grupim ky që bën thirrje për luftë të armatosur partizane me qëllim përmbysjen e regjimit të Putinit.

Ish-deputeti i Dumës, Ilya Ponomarev, duke folur në emër të këtij grupimi, deklaroi se shpërthimi i së shtunës në mbrëmje ishte vepër e Ushtrisë Republikane Kombëtare, për të cilën ai pretendoi se ishte një grup i fshehtë që punonte brenda Rusisë dhe i përkushtuar për përmbysjen e regjimit të Putinit.

“Ky aksion, si shumë aksione të tjera partizane të kryera në territorin e Rusisë muajt e fundit, u krye nga Ushtria Republikane Kombëtare (NRA) Ky sulm hap një faqe të re në rezistencën ruse ndaj Putinizmit. E re, por jo e fundit”, tha Ponomarev.

Ponomarev tha se partizanët brenda Rusisë ishin gati të kryenin sulme të tjera të ngjashme kundër objektivave të profilit të lartë të lidhur me Kremlinin, duke përfshirë zyrtarë, oligarkë dhe anëtarë të agjencive ruse të sigurisë.

“Ne e shpallim Presidentin Putin një uzurpator të pushtetit dhe një kriminel lufte që ndryshoi Kushtetutën, nisi një luftë vëllavrasëse midis popujve sllavë dhe dërgoi ushtarët rusë në vdekje të sigurt dhe të pakuptimtë.

Varfëria dhe arkivole për disa, pallatet për të tjerët, thelbi i politikës së tij. Ne besojmë se njerëzit e privuar nga e drejta kanë të drejtë të rebelohen kundër tiranëve. Putini do të rrëzohet dhe shkatërrohet nga ne!”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb