Policia e Tiranës finalizon operacionin e koduar “Akciza” për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë. Gjatë këtij operacioni u sekuestruan produkte me logo të paautorizuara dhe sende të tjera.

Po ashtu bëhet me dije se janë vënë në pranga 2 shtetas Luan Troksi dhe Adem Molla dhe është shpallur në kërkim 1 shtetas tjetër.

NJOFTIMI I PLOTE
Në vijim të punës dhe goditjeve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë dhe si rezultat i një pune dhe ndjekjeje intensive, nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u finalizua operacioni i koduar “Akciza”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi i shtetasve L. T. dhe A. M., si dhe u shpall në kërkim shtetasi F. B.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, kanë konsumuar veprat penale “Kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Tregtim dhe transportim i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Shkelje e të drejtës së pronësisë industriale”.

Gjatë operacionit, Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi të konsiderueshme cigaresh të markave të ndryshme, një sasi kafeje dhe një sasi vaji plazhi.

Theksojmë se këto produkte dyshohet se janë futur në Shqipëri nga pika të ndryshme kufitare, duke shmangur tërësisht detyrimin doganor. Këta shtetas, nëpërmjet kësaj veprimtarie të kundërligjshme, duke iu shmangur detyrimeve doganore, kanë konkurruar në mënyrë të paligjshme në tregun e brendshëm.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb