Të tjera detaje zbardhen për skandalin në spitalin COVID2, ku një sanitare mashtroi vajzën e një pacienteje 55-vjeçare duke u hequr si infermiere dhe duke i marrë 8 mln lekë të vjetra në këmbim të shërbimit ndaj nënës së saj që dhe ky pretendohet se ka munguar.

Në dosjen e prokurorisë të siguruar nga gazetarja Klodiana Lala për “BalkanWeb” thuhet ndër të tjera se vajza që ka bërë kallëzimin i ka kërkuar sanitares t’i kthejë paratë pasi ka kuptuar se ato nuk i ndante me mjekë dhe infermierë por i kishte mbajtur për vete.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka regjistruar P.p.nr.281 datë 13.01.2021 në ngarkim të shtetases Tire Alldervishi për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit” të parashikuar nga nenet 143/2 të Kodit Penal. Nga aktet ka rezultuar si më poshtë vijon:
Nga ana e policisë gjyqësore të seksionit për hetimin e Korrupsionit Sektorit për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, është kryer ndalimi me iniciativë dhe referimi i materialit hetimor në ngarkim të shtetases Tire Alldervishi.
Kështu më datë 12.01.2021 në orën 19:30 është paraqitur në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë shtetasja E.S., e cila ka bërë kallëzim penal ndaj shtetases Tire Alldervishi e datëlindjes 15.03.1962 pasi sipas saj, i ka marrë disa shuma parash të konsiderueshme për t’i shërbyer mamasë së kallëzueses e cila ishte e shtruar në spital me COVID-19, duke iu prezantuar si infermiere ndërkohë që ishte sanitare e spitalit. Gjithashtu në emisionin “Stop” të datës 12.01.2021 janë transmetuar pamjet për ngjarjen e ndodhur.
Më konkretisht, pas sqarimit të plotë të rrethanave të faktit penal ka rezultuar si më poshtë:
Në datën 28.11.2020 mamaja e kallëzueses është shtruar tek spitali universitar “Shefqet Ndroqi” pasi ka rezultuar pozitive me COVID-19. Në derë i është paraqitur një shtetase e veshur si infermiere dhe i ka thënë që është infermiere në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Kjo shtetasi ishte Tire Alldervishi dhe që më vonë ka marrë vesh se punonte si sanitare në këtë spital. Që në momentin e parë i ka kërkuar një shumë lekësh prej 2000 lekësh që t’i jepja telefonin mamit, duke i thënë që po e bënte për atë edhe pse nuk e kishte parë asnjëherë më përpara. Më pas i thotë që ta presë në lokal. Kur vjen në lokal i ka thënë, meqenëse infermierët e tjerë nuk lejohen të vijnë në lokal, e ka marrë ajo përsipër duke i kërkuar shumën e lekëve e cila ishte 10 000 për doktoreshën dhe 5000 për infermierët dhe sanitarët që i hiqnin pampersin. Kjo shumë vazhdonte çdo ditë dhe kanë qenë ditë të pakta që kallëzuesja ka dhënë vetëm 3000 lekë për infermierët dhe 5000 për doktoreshën dhe përpos tyre i jepte listën e ilaçeve që duhet të merrte nga jashtë.
Kallëzuesja nuk e dinte a po ia jepnin ilaçet apo jo sepse mami i saj i kishte thënë me mesazhe që nuk i japin asgjë nga ato që i sillnin ata. Mami i kallëzueses kurohej në katin e dytë në dhomën 30. Ajo ka mesazhet e mamit, e cila i ka pohuar që i kanë larguar karrigen e ushqimit që të mos hante se kishin merak se mos e ndërronin dhe i kanë thënë vetëm lëngje do pish dhe do hash vetëm kur të themi ne. Në një rast ka marrë një shumë prej 7000 lekësh dhe i ka thënë që për atë janë pak për atë natë dhe që kallëzuesja i kishte premtuar sipas saj që do e rregullonte dorën. I ka thënë që t’i thotë sa do se do t’ia japë në mëngjes vetëm t’i rrijë mamit afër. Këtë gjë e ka të faktuar me anë të mesazheve në Ëhatsapp. Mami i ka thënë disa herë që atje nuk i bëjnë shërbim. Kallëzuesja ka kërkuar për të takuar ndonjë doktor apo infermier tjetër në këtë spital, por nuk i kanë dalë, vetëm një ditë që i ka gjetur të ulur në një lokal dhe ka pyetur për gjendjen e mamit, por asnjëri nuk i ka kërkuar ndonjë shumë lekësh. Ajo ka biseduar me një infermiere e cila quhej Bona, e cila i ka thënë që nuk kërkon asnjë shumë parash për shërbimet e saj. Pasi e ka kuptuar që paratë nuk i merrnin infermierët dhe doktorët, por i merrte kjo, kallëzuesja ka biseduar me shtetasen Tire Alldervishi ku i ka thënë që t’i kthejë shumën e lekëve që ka marrë dhe se paratë i kishte marrë të gjitha për vete. Tirja nuk i ka kthyer fare përgjigje. Shuma totale që kallëzuesja ka thënë se shumë që i ka dhënë shtetases Tire Alldervishi është rreth 800 000 lekë të reja duke mos përfshirë ilaçet. Për këto, ajo është detyruar të marrë borxhe dhe të kërkojë nëpër shokë pasi e kishte shumë të vështirë për t’i gjetur”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Një tjetër moment është dhe ai i marrjes së lajmit që nëna e kallëzueses kishte ndërrua jetë dhe nga marrja e trupit në morg deri tek funerali janë bërë nga ajo vetë.

“Në datën 25.12.2020 nëna e saj ka ndërruar jetë gjatë natës. Këtë gjë e ka marrë vesh nga një telefonatë nga reanimatori i spitalit. Kallëzuesja dyshon që mami i saj mund të ketë ndërruar jetë edhe prej keqshërbimit sepse ajo ka mesazhe të mamit e cila i thotë që të mos bëjë shumë zë sepse po i bërtasin atje. Pas kësaj ka pritur që ta lajmëronin për situatën. Pas shumë telefonatash ku i pyet a është në spital apo në morg, i thanë që mamin e kanë shoqëruar drejt morgut që nga ora 7:30 e mëngjesit. Nuk i japin ndonjë informacion nëse do ta bëjë ajo varrimin apo do ta bënte morgu siç bëhet në raste të tilla. E ka marrë nga morgu vetë nënën e saj pasi nuk u interesua askush dhe ka marrë përsipër të gjitha shpenzimet e funeralit edhe pse kjo gjë duhet të bëhej nga shteti”, thuhet më tej.

Sa i përket përgjimit, prokuroria deklaron se pamjet filmike janë marrë prej saj.

“Për këtë gjë ajo është paraqitur në datën 08.01.2021 tek “Stop” ku i ka shpjeguar situatën. Në datën 11.01.2021 ka vendosur pajisjet për të bërë përgjimin e bisedës me shtetasen Tire Alldervishi. Në bisedën e regjistruar ajo pranon dhe pohon çdo gjë. Tek emisioni i ka shpjeguar dhe me detaje të gjithë ngjarjen dhe se pamjet do të transmetoheshin në darkë. Nuk ka ardhur më përpara në polici pasi ka pasur frikë se mos i bënin gjë mamit të saj.
Nga ana e policisë gjyqësore u bë këqyrja e pamjeve filmike të transmetuara në datën 12.01.2021 si dhe u bë shkarkimi i pamjeve filmike në një DVD-R”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb