TIRANË – Megi Topalli, vajza e ish-kryetares së Kuvendit është rreshtuar në krah të zërave që dënojnë sulmin me salcë ndaj ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, vajza e Jozefina Topallit ndonëse shprehet kundër ligjit të arsimit të lartë e cilëson si të shëmtuar sulmin e studentes Mirela Ruko.

 

Postimi në “Facebook” i Megi Topallit

Unë jam kundra ligjit të arsimit. Kam patur vërejtje dje, kam shumë vërejtje dhe sot, dhe po, jam pro çdo proteste paqësore por dhunën e refuzoj në të gjitha format e saj.

Sulmi ndaj Znj.Lindita Nikolla, ministre e Arsimit, për mua është i shëmtuar. Ideja për të qëlluar ndaj një zonje, një nëne, është vetëm shenjë dobësie…nuk është kjo gjuha e të rinjve dhe të rejave kundër padrejtësive.

Megjithatë unë jam dhe kundra ndalimit të kësaj vajze, pavarësisht se nuk bie dakort me sjelljet radikale.

Nuk është zonja Lindita e keqja e politikës së sotme. E keqja ka një emër, ajo quhet korrupsion.

Aty fillon e keqja, aty e kanë rrënjën varfëria, droga, papunësia dhe humbja e shpresës.

megi topalli
(BalkanWeB)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb