Një 18-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi akuzohet se i ka vjedhur makinën një vajzë. Ngjarja ndodhi ditën e premte në sheshin “Univers”, në kryeqytet.

Bëhet fjalë për shtetasin L. I., banues në Tiranë, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, operacioni policor i koduar “Square”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.

Vodhi makinën e një shtetaseje, vihet në pranga 18-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, ditën e djeshme, pas marrjes së njoftimit se te sheshi “Univers”, në rrugën “Mikel Maruli”, një person i paidentifikuar kishte vjedhur një automjet të cilin drejtuesja e tij, shtetasja D. Sh., 26 vjeçe, e kishte lënë të ndezur, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Square”, si rezultat i punës hetimore dhe veprimeve të shpejta profesionale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë lokalizimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– L. I., 18 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Ky shtetas, mesditën e djeshme, te sheshi “Univers”, ka vjedhur automjetin në pronësi të shtetases D. Sh. dhe më pas është larguar duke e drejtuar automjetin e vjedhur, pa leje drejtimi.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb