*Ja letra e lamtumirës së 16-vjeçares

TIRANË- Rreth dy javë pas ngjarjes së rëndë në fshatin Leshan të Sipërm të Dibrës, ku një 16-vjeçare u vetëvar pas ngacmimit seksual dhe u gjet nga familjarët në grahmat e fundit, babai i saj, Bashkim Skuka rrëfen në një intervistë ekskluzive për News24 marrëdhënien e tij me abuzuesin 50-vjeçar. Ai thotë se e ka futur në shtëpi dhe e ka trajtuar si vëlla Shkëlqim Murrjan, i cili është baba i 6 fëmijëve. Intervista është transmetuar në emisionin “Njerëz në Fokus” të gazetares Ola Bruko, e cila ka trajtuar pikërisht abuzimet me të miturit dhe rastet e pedofilisë në vend.

Babai i minorenes, që aktualisht është në gjendje kome, sqaron çdo detaj për historinë e së bijës që ishte martuar 6 muaj më parë.
“Kemi qenë vëllezër, si dhe fëmijët e mi janë kushërinj me fëmijët e tyre dhe unë e mendoja që kur atij i pata hapur dyert e shtëpisë, e konsideroja si pjesëtar familje, jo si një person që më ngacmon vajzën 16-vjeçare. Një vit më parë, fejova vajzën Artjolën, pak më tutje fshatit tim, dhe 6 muaj më parë i bëra dasmën, por sipas ish-burrit të vajzës time, ai ka kapur vajzën duke folur me 50-vjeçarin që e ngacmonte seksualisht. Ish-dhëndrri më sjell vajzën tek shtëpia dhe më thotë se ‘ne do të shkojmë tek 50-vjeçari të 3 bashkë, pasi ka ngacmuar vajzën tënde. Unë nuk pranova të shkoja nga turpi i fshatit, por nuk e prisja të ndodhte kjo që ndodhi”, tregoi i ati i 16-vjeçares për gazetarin e News24, Enver Doçi.

Ai vijon rrëfimin e tij me çastet kur kanë gjetur vajzën të vetëvarur dhe si e kanë çuar në spital me një makinë të rastit.

“Ndërsa vajza kishte shkuar tek baraka, bashkëshortja ime shkoi ta kërkojë nëpër dhomat e tjera, edhe pse vajza nuk ishte mirë nga sjellja kohët e fundit. Ne pamë një dritë brenda në barakë dhe menjëherë vrapuam tek baraka ku gjetëm vajzën të varur. Gruaja ulëriste me të madhe. Ishte natë, nuk shihnim gjë. Unë e ngrita lart, gruaja preu litarin. E futa në shtëpi për të vdekur. E kemi marrë në barelë, për ta dërguar në qendër të fshatit. Që aty e kemi dërguar me makinë në Peshkopi, ku spitali i Peshkopisë e ka dërguar me helikopter drejt Tiranës. Sot ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak të Tiranës”, thotë babai.

Por përkundër gjendjes së një vajze që u bë grua para kohe dhe u abuzua nga ai që mund të konsiderohej si babai i saj, autori është i lirë. Babai i saj thotë se nëse shteti nuk merr masa do të bëjë vetëgjyqësi. Por duket se për të morali i familjes i nëpërkëmbur është më tragjik se fatkeqësia e vajzës. “Pas ardhjes së policisë, e cila kreu edhe procedurën, shoqëroi 50-vjeçarin për 72 orë, pas 72 orësh e ka lënë të lirë. Nëse shteti nuk do marrë masa, do bëjmë vetëgjyqësi, pasi më ka prish moralin e familjes dhe nuk e duroj dot ta shoh teksa lëviz nëpër fshat”, thotë ai.

Babai i minorenes tregon edhe një detaj tjetër. “Gjithashtu Shkëlqim Murrja më ka kërkuar dorën e vajzës 1 vit më parë për djalin e dajës së vet, kur sapo dëgjoi që po fejohet me këtë që mori. Sa herë vinte në banesë, kishte raste që vinte 4-5 herë në ditë, kur nuk ndodhesha në shtëpi, më telefononte duke më pyetur se ku isha, dhe kur do vija, e sa do vonohesha. Herë pas here më telefononte duke më pyetur”, thotë ai.

MOTRA E MITUR: AI VINTE ORAR PA ORAR NË SHTËPI
Ndërsa e motra e Artjolës, Jonida 13-vjeçare, tregon çdo moment kur vinte 50-vjeçari në shtëpinë e tyre. Ajo tregon se ai vinte orar pa orar në shtëpi, edhe gjatë verës duke u fshehur pas pemëve dhe në kopsht. “Vinte shpeshherë. Edhe kur ishte babi me mamin në shtëpi, edhe kur nuk ishte. Na pyeste, e pyesnim si je. Nuk ka qenë ndonjëherë vetëm me motrën në shtëpi”, thotë ajo.

LETRA E LAMTUMIRËS SË 17-VJEÇARES
News24 ka siguruar letrën që 16-vjeçarja shkroi para se të ndërmerrte aktin e rëndë, duke tentuar vetëvrasjes. Ato pak rreshta tregojnë edhe njëherë dramën e saj dhe presionin e madh për shkak të opinionit dhe familjes.

“Besoj se praninë time në këtë shtëpi nuk e duroni dot. Prandaj po shkoj në botë tjetër. Besoj se vdekja i ka larë të gjitha gabimet e mia. Jam njeriu i vetëm në këtë shtëpi që kam bërë këto veprime të këqija, që nuk falen dot. Të vdes në atë mënyrë e meritoj. I lutem Rrahmanit të mos futet në gjak. Varri im do të jetë afër gjyshit. I dua shumë fëmijët. (fëmijët e vëllait)
Tek barakja.
Nga vajza juaj Artjola!
Lamtumir …”

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb