Nga KLODIANA LALA*

Dalin në dritë detaje të reja që lidhen me skandalin e ngacmimit seksual të një pacienteje në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, e cila në një video që u shpërnda në rrjetet sociale, dukej qartë se ishte pa ndjenja dhe në pamundësi për të reaguar. Vajza vetëm 17 vjeç, gjimnaziste e vitit të dytë në një nga gjimnazet më me emër të Tiranës, rezulton të jetë ngacmuar seksualisht nga dy miqtë e saj, përpara se të mbërrinte në urgjencën e QSUT-së, në gjendje të rënduar, për shkak të konsumimit të një sasie të madhe alkooli.

Sipas prokurorisë, videoja është regjistruar në taksi, teksa vajza po transportohej nga lokali i natës ku kishin festuar deri në orët e para të mëngjesit të 24 prillit 2014, për në spital. Videoja, e cila zgjat më shumë sesa ajo e regjistruar në QSUT është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe vetëm sa e rëndon edhe më shumë pozitën e dy të dyshuarve kryesorë në skandalin e ngacmimit seksual. A.Bushaj dhe D. Lamaj, dy të njohur të vajzës, janë shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Tiranës caktoi ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg” për akuzën e ngacmimit seksual.

Protagonistët
Pas publikimit të videoskandalit në rrjetet sociale, ku një paciente ngacmohej në shtratin e spitalit, në një kohë që ishte pa ndjenja, detyroi prokurorinë të nisë hetimet dhe në pak orë urdhëroi arrestimin e personit të parë.

Bëhej fjalë për Evarist Pashën, sekser funeralesh, i cili ishte gjendur në ambientet e spitalit për të gjetur klientë, që t’u shërbente me agjencinë funerale dhe pikërisht aty është bërë protagonist i ngjarjes së rëndë. Pasha, i dënuar më herët për trafik narkotikësh mbetur në tentativë, akuzohej për ngacmim seksual dhe ndodhet nën masën e sigurisë “arrest me burg”. Dy ditë më vonë, në pranga përfunduan dhe dy të njohur të vajzës, Albi B., e Patrik K., të cilët dyshoheshin vetëm për akuzën e moskallëzimit të krimit.

Gjykata vendosi të caktojë ndaj tyre masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, pasi nga hetimet nuk rezultuan të kishin kryer akte të ngacmimit seksual ndaj vajzës së mitur, por ndonëse kishin qenë në dijeni të ngacmimit të 17-vjeçares, nuk e kishin denoncuar atë pranë autoriteteve përkatëse. A.Bushaj dhe D. Lamaj, dy protagonistët kryesorë të skandalit, janë shpallur në kërkim dhe dalja në dritë e një videoje të dytë, ku shfaqen duke ngacmuar vajzën e rëndon edhe më shumë pozitën e tyre ligjore përballë drejtësisë.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: