Fuqizimi i roli të gruas në shoqëri përmes dijes dhe zhvillimit të gjeneratës së ardhëshme si kontribuese proaktive në politikat e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare ishin në qendër të aktivitetit të organizuar me rastin e fillimit të veprimtarisë së Institutit për vajzat dhe gratë në politikat e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare II, projekt i financuar nga Ambasada e SHBA. Pjesë e aktivitetit ishte edhe zv.ministrja e Mbrojtjes Dallëndyshe Bici, ambasadorja e SHBA Yuri Kim, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë Vincenzo Del Monaco.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Zv.ministrja e Mbrojtjes theksoi se, arsimimi, kualifikimi dhe shanset e barabarta të shtrira në mënyrë kapilare në shoqëri janë mënyra më e mirë për t’i dhënë fund dramës së tranzicionit të gjatë që po lodh deri në sfilitje pjesën më të brishtë dhe njëkohësisht më të fortë të shoqërisë tonë, gruan.

Duke u përqëndruar tek roli dhe përfaqësimi i gruas në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, zv.ministrja Dallëndyshe Bici u shpreh se krahasuar me vite më parë ka rritje të nivelit të përfaqësimit të vajzave dhe grave, referuar statistikave të vitit 2019 dhe 2020. “Përfaqësimi i personelit ushtarak femra në Forcat e Armatosura, për vitin 2020 është 14.01%, me një rritje me 0.27% krahasuar me muajin dhjetor të vitit 2019;

Numri i punonjësve civil është 1578, nga të cilët 561 janë femra, në përqindje, 35.55%. Oficerë në total kemi 1747, nga të cilët 341 janë femra, ose e shprehur në përqindje 19.51%, (rritje me 0,2% nga vitet e mëparshme). Nënoficerë në total 2337, prej të cilëve 348 janë femra ose 14.89%; Numri i përgjithshëm i punonjësve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcat e Armatosura është 7413, nga të cilët 1379 janë femra, që përbëjnë 18.6% të totalit”, u shpreh zv.ministrja Bici.

Po ashtu, shtoi znj. Bici, ka rritje me 2.5% edhe sa i përket numrit të rekrutimeve të vajzave dhe grave në FA, duke vënë në dukje pjesëmarrjen e tyre në misione ndërkombëtare, në misione të emergjencave civile në ndihmë të popullsisë, në stërvitje, konkurse dhe gara, përherë me një përfaqësim dinjitoz dhe shumë profesional. Ajo përmendi faktin që Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura është një grua, e cila gëzon gradën e lartë të Gjeneral Majorit. Znj. Bici kujtoi edhe Dëshmoren e Atdheut, Tetare Zarife Hasanaj, e cila humbi jetën e saj të re në krye të detyrës, gjatë misionit ushtarak të NATO-s, në Letoni.

Pavarësisht arritjeve, zv.ministrja e Mbrojtjes u shpreh se, “ka ende shumë për t’u bërë në këtë drejtim. Përfshirja e gruas në politikat e sigurisë dhe mbrojtjes sjell vetëm pozitivitet. Kjo falë mendjes së kthjellët, intuitës së jashtëzakonshme dhe gjykimit racional, karakteristika natyrale këto tek një grua”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb