Që prej ditës së diel ka mungesë të vaksinës kineze coronavac në një qendrat kryesore të vaksinimit në sheshin Skënderbej.

Në pamjet e filmuara paraditen e ditës së martë në qendrën e vaksinimit në sheshin Skënderbej duken sportelet e mbyllura dhe karriget bosh në pjesën ku kryhet vaksinimi me vaksinën kineze coronavac.
Ky fakt përforcohet edhe nga vetë të moshuarit që kanë tre ditë që paraqiten për të marrë dozën e dytë të vaksinës kineze porse në vend të një informacioni zyrtar përcillen për në shtëpi nga polici i bashkisë që mbetet i vetmi burim lajmi për ta.

Një ditë më parë u administrua një dozë e vogël vaksinash kineze që në vend të zgjidhte problemin ka provokuar radhë të gjata pritje dhe pa rezultat për shumicën e të moshuarve. Ndërkohë në qendrën e vaksinimit në sheshin Skënderbej po vijon pa ndërprerje vaksinimi i kategorive të caktuara të popullatës me vaksinën Astrazeneca, doza e parë.

Burime nga komiteti teknik i ekspertëve i thanë News 24 se ka mungesë të vaksinës kineze dhe se pritet të vijë një ngarkesë e madhe vaksinash coronavac. I njëjti burim pohon se vonesa në kryerjen e dozës së dytë të vaksinës kineze nuk ka asnjë ndikim negativ në shëndetin e të moshuarve të vaksinuar me një dozë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: