Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus deklaroi se e gjithë bota duhet të përfitojë nga vaksina kundër koronavirusit. Sipas Ghebreyesus, vaksina do të jetë mjeti kryesor që do të kontrollojë pandeminë.

“Vaksina do të jetë mjet kryesor për kontrollimin e pandemisë dhe ne jemi të inkurajuar nga rezultatet paraprake të testeve klinike që u publikuan këtë javë”, tha Ghebreyesus, në mbyllje të punimeve të Asamblesë vjetore të OBSH-së. “Asnjëherë në histori nuk ka ndodhur që një vaksinë të zhvillohet kaq shpejt. Ne duhet të zbatojmë të njëjtën urgjencë që të sigurohemi se të gjitha shtetet përfitojnë nga kjo arritje shkencore”, ka thënë Tedros.

Gjiganti farmaceutik amerikan Pfizer dhe partneri i tyre gjerman BioNTech njoftuan të hënën se testimi i vaksinës së tyre ka rezultuar 90% efektiv në fazën finale, ku janë përfshirë më shumë se 40 mijë njerëz.

Koronavirusi ka shkaktuar vdekjen e afro 1.3 milion njerëzve në të gjithë botën. Deri më tani janë raportuar më shumë se 52.7 milionë raste me COVID-19.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb