TIRANË

Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj, i autorizuar për negociata për sigurimin e vaksinave anti COVID tregoi sot në “Real Story” në News24 çfarë po bëhet për marrjen e vaksinave të tjera.

Ai tha se ka kontakte me Johnson&Johnson, vaksina e së cilës është me një dozë si dhe foli për negociatat që po zhvillon fondacioni Tony Blair për vaksinën ruse Sputnik V.

Sa i përket vaksinës kineze, ai tha se është e sigurt dhe se deri tani janë vaksinuar 80 milion njerëz.
“S’ka kategori vaksinash as A, as B, as C. Unë do t’i referohesha institucioneve. Dhe komiteti i ekspertëve, komiteti teknik dhe ISHP dhe autoriteti i barnave e kanë autorizuar dhe lejuar përdorimin e gjerë në popullatë të kësaj vaksine dhe ne do t’i besojmë ekspertëve. Përtej besimit që kemi tek përdorimi i kësaj vaksine në vendet e tjera, janë bërë 80 milionë Sinovac deri tani. Ne jemi në kontakt me Johnson&Johnson siç jemi me firmat e tjera, shumë prodhues të tjerë.
Ne kemi kontraktuar 500 mijë doza të vaksinës kineze dhe jemi dhe për kaq të tjera për një kohë të shkurtër për 3 muaj. Në mënyrë që të bëjmë një vaksinim të shpejtuar të popullatës dhe të bëjmë të mundur që Shqipëria të gëzojë një stinë turizmi fantastike ku Shqipëria do jetë ndoshta vendi i parë dhe absolutisht i hapur për turizëm.
Maqedonia e Veriut ka pasur një incident me prurjen e vaksinave dhe financiar. Kanë paguar dhe nuk kanë marrë vaksinat. Për qytetarët është ajo leva e Arkimedit dhe kjo leva e Arkimedit është kryeministri. E ka bërë të mundur përshpejtimin e sjelljes nëpërmjet këmbënguljes së kontakteve dhe negociatës. Këtu matet një qeveri efektive. Një nga rastet është si e përdor fuqinë tënde”, tha Ahmetaj.

Sa i përket rolit apo mënyrave për sigurimin e vaksinave ai tha se janë përdorur ato më të sigurtat dhe efektivet.
“Ne përdorim rrugën më të shpejtë dhe më efektive. Rruga më e shpejtë dhe efektive rezulton nëpërmjet nga prodhuesi, nëpërmjet COVAX për Astra Zeneca dhe nëpërmjet një distributori të autorizuar, siç është rasti i Sinovac. Për Sputnik fondacioni Tony Blair po negocion fortë për sjelljen në Shqipëri. Nuk e kam marrë informacionin për çfarë sasie, por ai vetë, kryeministri ka folur disa herë me të, unë kam folur me të, për të sjellë një sasi Sputnik që ata e negociojnë me distributor apo prodhues të Sputnik. Apo Emiratet e bashkuara që dhurojnë 10 mijë Sputnik”, tregoi Ahmetaj.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb