Ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu, i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24”, duke folur për procesin e vaksinimit ndaj Covid-19, deklaroi se Shqipëria ka nevojë për 5.5 milionë doza të vaksinës.

Shehu theksoi se ka dyshime për mënyrën kontrabandë të ilaçeve.

“Ka pasur vonesa të mëdha në fillime për vaksinat. Jemi në një situatë ku procesi i vaksinimit, ngre dyshime për mënyrën kontrabandë në Shqipëri. Vaksina është mënyra e vetme për të shpëtuar nga Covid. Por, gjithçka lidhet me ritmet e vaksinimit dhe kur do mbarojë ky vaksinim.

Shqipëria ka nevojë për rreth 5.5 milionë dosa vaksinash dhe ndaj jemi larg shifrave që deklaron kjo qeveri. Duhet të vaksinohet 70 për qind e popullatës. Covax është organizëm që është bërë për vende të pazhvilluara, prandaj kemi thënë që kontaktoni direkt me vendet e BE”, tha Shehu.

Tritan Shehu vlerësoi se qeveria duhet të paraqesë certifikatën e origjinës së vaksinës.

“Çdo vaksinim që bëhet në vend duhet të jetë e certifikuar. Duhet të paraqitet certifikata e transportit të mallit. Është i detyruar që të nënshkruajë titullari i ministrisë. Duhet ditur burimi farmaceutik i mallit. Të ketë transparencë për mallin. Kam dyshime për mënyrë kontrabandë të ilaçit. Kjo tregon qartësisht se në Shqipëri nuk funksionon Agjencia e Barnave dhe institucionet e tjera.

Thjesht gjithçka është arritur me një urdhër të kryeministrit. Këto janë gjëra që nuk bëhen me sigurira personale, por bëhen në mënyrë institucionale. Ka për këtë punë komisione njerëzish. Imagjinoni Mitsotakis dhe kryeministra të tjerë të thonë që e di unë se është e sigurt e nuk ua them nga kanë ardhur”, u shpreh Shehu.

Më tej, Shehu theksoi se duhet që të ketë një program vaksinimi, duke thënë se situata është në amulli të plotë.

“Duhet të ketë program vaksinimi, e shoqërohet me llojet e vaksinave që duhen bërë. Këtu nuk ka asnjë program vaksinimi. Soreca tha se qeveria shqiptare nuk ka program vaksinimi.

Nëse do vazhdojmë kështu, procesi do jetë i ngadaltë, duke ekspozuar vendin dhe njerëzit ndaj rreziqeve.  Situata nga Covid në vend paraqitet problematike. Nuk ka strategji të gjurmimit të personave të kontaktit. Situata është në amulli të plotë. Farmacitë të furnizohen me teste të shpejta”, përmbylli Shehu.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: