Ambasadorja amerikane Yuri Kim e ftuar në emisionin ‘’Real Story’’ të Sokol Ballës në News24 nuk është shprehur kundër ardhjes së vaksinës kineze, ruse, apo qoftë të një shteti nga ana lindore e botës në Shqipëri.

Për pyetjen e analistit Skënder Minxhozi, znj. Kim thotë se vetë ajo i beson sigurisht vaksinës amerikane, pasi SHBA ka standarde më të larta të gjithpranueshme në gjithë botën, por sipas saj kujdesi shëndetësor është vendim tërësisht personal, ashtu si në rastin e Shqipërisë.

Madje ajo nxit vetë qytetarët që të bëjnë kërkime vetjake, mbi shkallën e suksesit, efekteve anësore etj që japin vaksinat e ndryshme që janë prodhuar tashmë në disa anë të botës.

 

PJESË NGA INTERVISTA E ‘’REAL STORY’’

Sokol Balla: Z. Minxhozi bën një pyetje tërësisht ndryshe. A duhet Shqipëria të jetë fleksibël ndaj vaksinave lindore, më saktësisht kineze dhe ruse? Cili do të ishte reagimi i Shteteve të Bashkuara nëse vaksina të tilla vijnë në Tiranë, ashtu siç ndodhi pak kohë më parë në Beograd?

Ambasadorja Kim: Mendoj se ka mjaftueshëm informacion mbi vaksinat që ofrohen. Kujdesi mjekësor është një vendim tërësisht personal që gjithsecili merr, por, përsa më përket mua, mund t’ju them se cilës i besoj unë…

Sokol Balla: Cilës?

Ambasadorja Kim: …sigurisht, amerikanes. Ne kemi standarte më të larta, dhe mendoj se kjo pranohet në mbarë botën, por unë do t’i nxisja qytetarët të bëjnë kërkimet e tyre, të shohin shkallën e suksesit, të shohin efektet anësore, ka mjaftueshëm informacion në dispozicion për variantet e ndryshme që ofrohen.

Sokol Balla: Zonja Ambasadore, ju falenderoj që ishit me mua sonte. Ju dhurova një kopje të librit tim, i cili është një dëshmi e puçit të shtetit, por do doja të lexonit dedikimin që ju shkrova në libër.

Ambasadorja Kim: Faleminderit.

Sokol Balla: Nëse mund të ma lexoni.

Ambasadorja Kim: “Për Yurin, duke shpresuar se do të bëhet drejtësi. Sokol”.

Sokol Balla: Do të bëhet?

Ambasadorja Kim: Ashtu shpresoj.

Sokol Balla: Faleminderit shumë. Edhe unë ashtu shpresoj. Ishte kënaqësi. Faleminderit.

Ambasadorja Kim: Faleminderit.

Sokol Balla: Ishim në këtë intervistë, në pak më shumë se një orë, me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Znj. Yuri Kim. Ky ishte “Real Story” për sonte. Do të shihemi sërish të hënën, në orën 21:00.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb