TIRANË

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla deklaroi pas seancës së sotme plenare se maxhoranca dhe opozita kanë rënë dakord në konferencën e kryetarëve për vaksinimin e detyrueshëm të të gjithë deputetëve. Sa i përket zhvillimit të mbledhjeve të komisioneve online për shkak të pandemisë, ai tha se do të ketë dhe mbledhje tradicionale, por se Kuvendi duhet të japë i pari mesazhin e kujdesit ndaj jetës.

Balla theksoi se nuk ka asnjë përpjekje për të vrarë parlamentarizmin.
“Unë besoj që do njiheni me procesverbalin e konferencës së kryetarëve ku është qartësisht shpjeguar vijueshmëria e punës në komisione. Natyrshëm do ketë komisione që do zhvillojnë punën online dhe po aq natyrshëm do ketë mbledhje të komisioneve që do shfrytëzojnë dy sallat e vetme për mbledhje komisioni me distanca dhe si e tillë mendoj që opozita të gjejë arsye të tjera për t’u shqetësuar, por jo këtë arsye. Nëse do ketë një seancë të rëndësishme do jetë fizikisht. Por në një punë normale, sikurse zhvillohet në PE, në parlamentin e Francës apo Bundestag, të njëjtën gjë po bën dhe kuvendi i Shqipërisë.

Në konferencën e kryetarëve ramë dakord për vaksinimin e detyrueshëm të të gjithë deputetëve. Afati i dy dozave është përcaktim që e bëjnë ekspertët, varet dhe nga lloji i vaksinës. Ky është mesazhi më i mirë që bën kuvendi sot. I bëj thirrje qytetarëve të vaksinohen. E rëndësishme t’iu drejtohemi studentëve kur po i afrohemi vitit të ri universitar, çdo student duhet të vaksinohet dhe këtë gjë duhet ta bëjë i pari Kuvendi. Mua më vjen keq, nuk e di ku e kanë dëgjuar që Shqipëria nuk është në kushtet e një gjendje të jashtëzakonshme, vendimi i qeverisë është vijues, ne vazhdojmë të jemi të kujdesshëm. Kemi një numër të lartë rastesh në ditë, kemi humbje jete. Në gusht kishim një situatë dhe në shtator-tetor kemi këtë situatë. Të mos fryhet tullumbaci kot, mbledhjet e komisioneve do vazhdojnë dhe në mënyrë tradicionale dhe online. Për këtë kemi rënë dakord në konferencën e kryetarëve. Kuvendi ka rimiratuar disa rregulla të vendosura në legjislaturën e kaluar.

Nuk do të thotë që për mbledhje të caktuara, kemi rënë dakord unë dhe kreu i grupit parlamentar të PD t’i diskutojmë herë pas here. Rregullroja thotë që kryesitë e komisioneve vendosin për rregullimin. Këtu nuk ka asnjë lloj përpjekje për të vrarë parlamentarizmin, për të mos i dhënë hapësirë opozitës. Unë mendoj që le të vijojë puna normalisht, në cilindo rast që opozita do kërkojë që mbledhjet të jenë në mënyrë tradicionale vendimi i konferencës së kryetarëve është i qartë. Kuvendi i Shqipërisë duhet të japë mesazhin e parë të kujdesit”, deklaroi Balla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb