E marta dhe e mërkura, respektivisht 29 dhe 30 qershori, përkojnë dhe me vaksinimin e personave plus 18 vjeç.

Gazetari Erion Skëndaj raportoi për “BalkanWeb”, situatën e deritanishme në sheshin “Skënderbej”, aty ku ndodhen dhe stendat e vaksinimit. Gazetari tregoi se fluksi i të rinjve të paraqitur është i vogël.

Kryesisht deri më tani për t’u vaksinuar janë paraqitur grupmoshat 30, 35 dhe 40 vjeç, ndërsa ato 25 vjeç janë më të pakët në numër. Nga komunikimi që kanë pasur me kamerën e “Neës 24”, të rinjtë janë shprehur se po vaksinohen, pasi janë të frikësuar për variantet e reja të virusit, një prej të cilëve është DELTA.

Kjo e fundit, sipas ekspertëve, është një ndër variantet më të rrezikshme dhe me nivel të lartë infektueshmërie.

Gazetari tregoi më tej, se disa të rinj, janë paraqitur në stendat e vaksinimit, si në sheshin “Skënderbej”, ashtu dhe në pikën tjetër të vaksinimit “Air Albania”, nuk kanë pranuar të vaksinohen, kur kanë mësuar se vaksina që do të marrin do të jetë Coronavax.

Të rinjtë kanë kërkuar të vaksinohen me vaksinat e kompanive AstraZeneca dhe Pfizer, tanimë, edhe të certifikuara nga EMA.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb