Valdrin Pjetri ka nisur betejën ligjore, pas akuzave të Partisë Demokratike se ka qenë i dënuar në Itali për trafik droge.

Në një përgjigje drejtuar PD-së, Prokuroria e Përgjithshme bën me dije se ka nisur verifikimin ndaj figurës së Pjetrit që më 6 gusht 2019.

Ndërkohë, vetëm pak ditë para kësaj date, përkatësisht më 2 gusht 2019, PD iu drejtua Prokurorisë me një letër publike, duke i kërkuar të verifikonte figurën e Pjetrit, pasi sipas opozitës, ka qenë i dënuar në Itali për trafik droge.

“Procesi i verifikimit, që më datë 6 gusht 2019. Shkresa iu dërgua zyrës së Gjendjes Gjyqësore. Shkresa iu dërgua për verifikim edhe policisë. Pjetrit iu kërkua të depozitojë gjurmët daktiloskopike”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.

I zgjedhuri i 30 qershorit si kryebashkiak i Shkodrës, Valdrin Pjetri, një ditë më parë u tërhoq nga posti, për t’u përballur me ligjin si qytetar i thjeshtë.

Reagimi i Prokurorisë

Në përgjigje të kërkesës suaj nr.121/2 prot., datë 13 gusht 2019, mbi proçedurën e verifikimit të subjektit Valdrin Pjetri, kandidat për Kryetar të Bashkisë Shkodër, ju informojmëse:

Më datë 05.08.2019, Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar kërkesën tuaj për verifikim të detajuar të subjektit Valdrin Pjetri, në zbatim të ligjit Nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Brenda njëzetekatër orëve, ka filluar procedura e verifikimit.

Më datë 06.08.2019, me administrimin e formularit të vetëdeklarimit të subjektit Valdrin Pjetri prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurori i Përgjithshëm ka filluar procesin e verifikimit të plotë e të gjithanshëm brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë. Konkretisht:

Më datë 06.08.2019, i është dërguar shkresa për verifikim Zyrës së Gjendjes Gjyqësore, Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, Drejtorisë së Policisë së Shtetit, organeve të prokurorisë(prokurorive pranë gjykatës së shkallës së parë, prokurorive pranë gjykatës së apelit, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda). Më datë 09.08.2019, shtetasit Valdrin Pjetri i është kërkuar të depozitojë gjurmët e tij daktiloskopike pranë Institutit të Policisë Shkencore.

Për sa i përket proçedurës së verifikimit jashtë territorit të Shqipërisë, më datë 06.08.2019, Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar pranë Drejtorisë së Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit, si dhe pranë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për verifikim të mëtejshëm nga autoritetet e drejtësisë italiane, duke iu kërkuar këtyre të fundit vënia në dispozicion e çdo lloji vendimi penal të dhënë nga gjykata, vendim për masa sigurimi personale apo vendime dëbimi, në emër të shtetasit Valdrin Pjetri.

Në vijim tëkësaj proçedure, më datë 14.08.2019, Prokuroria e Përgjithshme ka përcjellë pranë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për ndihmë juridike për subjektin Valdrin Pjetri, duke bashkëngjitur të dhënat kriminale të dënimit penal në shtetin italian, të vëna në dispozicion me shkresën tuaj nr. 121/2 prot., datë 13 gusht 2019.

Për sa më sipër ju sqarojmë, se në zbatim të afateve të parashikuara në Kreun 5, pika 9, të Vendimit nr 17, të Kuvendit të Shqipërisë “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” do t’ju komunikojmë rezultatin e verifikimit.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb