Ministri në detyrë i Evropës dhe Punëve të Jashtme, Gent Cakaj në një konferencë për shtyp deklaroi se Shqipëria do të ndërpresë marrëdhëniet e saj me disa prej diplomatëve nëpër botë që nuk përmbushin detyrën.

Ai foli për pastrim të radhëve të shërbimit diplomatik dhe tha se 20 prej tyre janë shkarkuar tashmë.

“Ambicia për një shërbim ekselent diplomatik e ka karakterizuar përpjekjen e zellshme të Ministrisë për Europën e Punëve të Jashtme gjatë 5 viteve të fundit. Jetësimi i kësaj ambicieje mbetet ende një sfidë e hapur. Në këto 77 ditë në krye të këtij institucioni kam ngritur një grup të posaçëm pune për të shqyrtuar hollësisht cilësinë e burimeve njerëzore të shërbimit diplomatik të shtetit shqiptar. Ppas kësaj ndërmarrjeje të kujdesshme sot jam me ju të ndaj faktin se kam vendosur të shkëpus marrëdhëniet me një pjesë të punonjësve që nuk përmbushin as kushtet ligjore, as kushtet minimale profesionale për kryerjen e kësaj detyre dhe lëre pastaj për të mbështetur ambicien e kësaj qeverie dhe vizionin e kryeministrit Rama për të çuar në lartësinë e merituar përfaqësimin ndërkombëtar të Shqipërisë. Shqipëria nuk është e miqve dhe krushqve, por e të gjithëve. Vendi meriton të përfaqësohet nga më të dalluarit që shërbejnë me pasion. Kjo përpjekje nuk fillon nga hiçi, është në vazhdën logjike që ka filluar tani dhe nuk mund të ndalet”, tha ai.

Ai i ftoi gjithashtu gjithë të interesuarit për të aplikuar në vendet vakante në shërbimin diplomatik. “Duke u mbështetur në shembullin kuptimplotë të 373 ekselentëve që janë bërë pjesë e administartës në përputhje me frymën e vlefshme të Paktit për Universitetin përmes një procesi transparent dhe të meritokracisë dhe mbi të gjitha atdhetar në shërbim të angazhimit tonë për transformim radikal i ftoj të gjithë të interesuarit për të aplikuar në vendet vakante në shërbimin diplomatik”, theksoi Cakaj.

Vendimi vjen menjëherë pas rastit të indianit Nitin Sandesara, që ndonëse ishte i akuzuar në Indi për vjedhjen dhe pastrimin e 725 milionë dollarëve, rezultonte të ishte Konsull Nderi i Republikës së Shqipërisë në Nigeri. Po ashtu në Shqipëri bashkë me vëllain e tij kishte krijuar kompani investimesh.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb