Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, foli në emisionin “Real Story”, në News24, për një valë tjetër infektimesh me koronavirus në vendin tonë, referuar faktit se ndodhemi para fushatës elektorale.

Lidhur me këtë, zv.ministrja Tomini u shpreh se “Aktualisht ne kemi një zbirtje dhe janë këto 5-javorët që përsëriten. Nëse do të kemi respektim korrekt të masave, edhe pse mirëkuptojmë popullatën, që është lodhur e mërzitur, situata do jetë më e qetë. Por duhet akoma bashkëpunim. Shpresojmë që deri në mes të prillit të kemi aplikuar një numër të konsiderueshëm vaksinash”.

Më tej, Tomini u ndal te shifrat e koronavirusit, ku ditët e fundit është vënë re një rënie e numrit të të infektuarve, por vijon të mbetet i lartë numri i viktimave.
“Kemi një rënie të qëndrueshme të shifrave prej disa ditësh. Kjo lidhet edhe me masat, që kanë dhënë efektin e tyre. Jemi ende herët për të diskutuar një nivel pragu përkundrejt të infektuarve. Vaksinimi që ne synojmë, do të ulë transmetueshmërinë.

Niveli i rënieve të infektimit nuk ka lidhje me viktimat 24-orëshe, sepse tranziti i pacientit nuk reflekton 24 apo 48 orëshin, por kërkon një periudhë 2-3 javore. Në periudhën e shkurtit, ku qarkulluan mutacionet dhe kishim transmetueshmëri të lartë edhe te grupmoshat e reja, u reflektua fakti i numrit të lartë të fataliteteve”, u shpreh ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb