Valentina Leskaj, ish-nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë, ministre e Punës dhe Çështjeve Sociale në vitin 2002 në qeverinë Nano, deputete e disa legjislaturave, vjen me librin e saj “Politika si ide”, i cili i ndërtuar në formën e një interviste me studiuesen Alda Bardhyli, shpërfaq konceptet dhe idetë e saj për politikën si një mision qytetar, pas një përvoje të gjatë.

Pas një përvoje të gjatë në shoqërinë civile, thuajse 12-vjeçare, e zgjedhur madje edhe si presidente e Forumit të Organizatave Joqeveritare, në vitin 2002 ishte kryetar i Partisë Socialiste Fatos Nano, i cili e ftoi që të bëhej pjesë e kabinetit të tij qeverisës.

Nuk ishte shumë e lehtë për të marrë një vendim që do ta shkëpuste nga aktiviteti intensiv në shoqërinë civile për t’u angazhuar me kohë të plotë në politikë dhe duket se për të marrë një vendim të tillë, zonja Leskaj është konsultuar me njerëzit e duhur, siç ishin familjarët dhe mikeshat e saj më të afërta.

Nëse do t’i kthehemi situatës politike të kohës, por dhe vitet më pas, zonja Leskaj vendosi një standard në Parlamentin shqiptar, duke dhënë modelin se si duhet të jetë artikulimi i politikanëve, mbi bazën e argumenteve dhe arsyetimit politik e jo mbi bazën e fyerjeve, anatemimeve dhe akuzave të pabaza.

VALENTINA LESKAJ, “POLITIKA SI IDE”

Shoqëria civile ka pasur rol në zhvillimet demokratike dhe në integrimin e vendit. Të qenët pjesë e kësaj strukture, kaq të ndjeshme dhe kaq dinamike për më shumë se një dekadë, duket se do të grishte politikën te ju. Megjithatë, ju hyni tek ata njerëz që kanë zgjedhur të hyjnë në politikë vonë.

E vërtetë, në politikë kam hyrë relativisht më vonë, në vitin 2002. Kam hyrë edhe pas një eksperience relativisht të gjatë në shoqërinë civile, për rreth 12 vjet. Po mendoj se edhe pse nuk kam qenë asnjëherë anëtare e ndonjë partie politike, as para vitit 1990 dhe as më pas, deri në vitin 2002, gjithsesi nuk kam qenë jashtë politikës. Pra, në njëfarë mënyre jam marrë më herët me politikë, qyshkur isha në shoqërinë civile, kështu që angazhimi si ministre e Punës dhe Çështjeve Sociale në qeveri ishte besoj jorastësor, po rrjedhojë e një investimi të gjatë dhe vinte pa sforco.

Gjithsesi, është ndryshe të merresh me politikë jashtë formacioneve politike e ndryshe brenda tyre, ndaj hyrja në një parti politike ishte një kapërcim dhe ka pasur disa motive për këtë vendim. Një nga motivet që më bëri të pranoja ftesën për t’iu bashkuar PS-së ishte fakti që kisha predikuar shumë që gratë të hyjnë në politikë dhe nuk mund të flisja për të tjerat, duke mos e marrë përsipër vetë.

Në fakt, Partia Socialiste ishte një forcë politike progresive, me më shumë liri se të gjitha partitë e kohës, me një program e filozofi që iu shkon më shumë për shtat njerëzve të angazhuar në shoqërinë civile dhe kjo ka qenë shumë e rëndësishme në vendimmarrjen time e mund të them se ma ka bërë më të lehtë rrugën. Me sa di unë, në korrik të vitit 2002 ju sapo kishit mbërritur në Paris për një konferencë, kur merrni një telefonatë nga Kryeministri i asaj kohe, Fatos Nano. Një telefonatë që do të ndryshonte karrierën tuaj. Çfarë biseduat me Kryeministrin Nano?

Siç e thashë, isha e angazhuar me shoqërinë civile, me të cilën kisha filluar qysh në vitin 1992, si një ndër themelueset, kur një grup nga ne ngritëm organizatat e para të sektorit joqeveritar në kushte jo të lehta. Ndihesha shumë mirë me angazhimin që kisha, edhe pse realisht shumë e impenjuar, po unë besoj se liria është gjëja më e çmuar për një njeri dhe të punosh në mënyrë të pavarur, sado impenjative të jetë, të bën të ndihesh mirë dhe kjo më shijonte.

Aktivizimi në shoqërinë civile ka një diferencë të madhe me politikën ku, sidomos kohët e fundit, niveli po shkonte poshtë dhe të bënte të mos ndiheshe mirë. Gati 1 vit përpara se të deklaroja vendimin për të mos rikandiduar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, në një emision televiziv me gazetarin Rezear Xhaxhiu, kam thënë se kam kohë që i bëj pyetjen vetes çfarë bëj ende këtu, me gjithë respektin maksimal që kam për kolegët e mi, që vazhdojnë të shërbejnë, pavarësisht nga imazhi apo problemet që ka, politika është një e mirë publike dhe ata që e marrin seriozisht e që janë të motivuar, meritojnë gjithë respektin. Dhe të tillë ka, pavarësisht se duken gjithnjë e më shumë si drurët e rrallë. E di që ka njerëz që kjo mund t’u duket e pabesueshme, ndoshta edhe e çuditshme, po kësaj bindjeje dua t’i kthehem më vonë.

Ishte fundi i korrikut të 2002-it, kur u nisa për të marrë pjesë në një konferencë në Paris dhe prej andej do të shkoja në një konferencë tjetër në Bruksel. Isha me bashkëshortin tim, Astritin, i cili nuk vinte asnjëherë në këto udhëtime, që në fakt ishin udhëtime pune. Po ky ishte një rast pak specifik, ai do të qëndronte në Paris për të takuar djalin tonë, Besnikun, i cili studionte atje me një program të Bashkimit Europian, Erasmus. Po udhëtonim nga Zyrihu dhe kur mbërritëm në aeroportin e Zyrihut, ndërkohë që po i afroheshim portës dalëse për të marrë avionin, u kujtova që duhet të njoftoja tim bir, që do të na priste në aeroportin e Parisit, për orën e mbërritjes, por telefonin e kisha lënë të mbyllur qysh në Tiranë.

Sa e hapa telefonin, shoh që kisha thirrje të humbura, nga Fatos Nano dhe nga Kozara Kati, e cila më kishte bërë edhe një mesazh ku më shkruante: “Të lutem më merr sapo të hapësh telefonin”. E mora menjëherë Kozarën pasi mesazhi i saj tregonte që duhet të ishte diçka e rëndësishme. Sapo e hapi telefonin më pyeti se ku ndodhesha dhe iu përgjigja që jam rrugës për në Paris. Më tha: “Po të kërkon Fatos Nano që nuk po lidhet dot me ty në telefon dhe më mori mua”.

Në fakt, unë nuk është se kisha ndonjë komunikim me Nanon, edhe pse njiheshim që nga Fakulteti i Ekonomisë, kur ishim studentë në të njëjtin grup, më pas të dy jepnim mësim si pedagogë të jashtëm në Fakultetin e Ekonomisë, po pastaj rrugët tona ishin ndarë, ai ishte në politikë dhe unë në shoqërinë civile.

Gjithsesi, dy vitet e fundit ishim takuar disa herë në disa aktivitete në kuadër të Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore, ku Nano ishte mjaft aktiv dhe udhëhiqte Komisionin Parlamentar Shqiptar për Paktin e Stabilitetit, dhe që, në fakt, atë kohë pati një qasje përfshirëse dhe bashkëpunim të mirë me shoqërinë civile. Ishte viti 2000, periudha kur Fatos Nano nuk ishte Kryeministër, por deputet. Pak si me ironi i thashë Kozarës se ka ndodhur ndonjë histori tjetër si ajo e Portorozhit dhe Kozara filloi të qeshte, në fakt më kishte ndodhur një tjetër ngjarje (me Kozarën dhe Nanon) në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2001, për të cilën do të flas më poshtë.

Kozara më tha: “Nuk di detaje, gjithsesi po e njoftoj që e ke hapur telefonin”. Nuk kaluan as tri minuta dhe më mori Nano. “Vali, si je? Nuk je në Shqipëri?”. I thashë që jam rrugës për në Paris. Më tha se “dua të të ftoj të bëhesh pjesë e kabinetit tim qeveritar si ministre e Punës dhe Çështjeve Sociale”.

Ishte krejt e papritur për mua, nuk e kisha menduar që një ditë do t’i bashkohesha politikës, atje ku isha (atë kohë isha drejtore Ekzekutive e Qendrës për Popullsinë dhe Zhvillim dhe njëherësh isha e zgjedhur si presidente e Forumit të Organizatave Joqeveritare), kisha gjetur veten dhe gjithmonë kam menduar se liria është e çmuar; të jesh i lirë dhe të luftosh për lirinë e të tjerëve në shoqërinë civile të bën të ndihesh mirë.

Ky ndryshim do të thoshte shkëputje e plotë nga shoqëria civile ku isha angazhuar për më shumë se dhjetë vjet e të nisje një gjë tjetër ku ndonjëherë është vështirë të jesh vetja. M’u kujtua një mësim nga Sartri kur thoshte se: “Individët janë të lirë dhe përgjegjës për vendimet dhe veprimet që kryejnë. Ata duhet të vendosin standardet dhe rregullat e jetës dhe veprimtarisë së tyre”.

E vlerësoja shumë këtë mësim. A do të ishte e mundur kjo në politikë? Kisha bindjen që jo. Do të ishte e vështirë. Përgjigjja ime ishte e menjëhershme. “Faleminderit për vlerësimin, po nuk e kam menduar ndonjëherë dhe e…”, por ende pa e mbaruar unë fjalën më tha, “duhet ta pranosh…”.

Ndërkohë që po diskutonim, Nano insistoi e në fund më tha: “Gjithsesi, më dërgo një CV tënden se kam mbledhjen e Kryesisë së Partisë dhe më duhet CV-ja për të paraqitur kandidaturën në kryesi e pastaj flasim, – dhe shtoi, – do të të marr përsëri në telefon, ti arrin në orën 9:20 në Paris, (më çuditi ky detaj), ndërkohë unë kam një takim dhe me Gjinushin (Gjinushi, kryetari i PSD-së, ish-ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale atë kohë), por me të pothuaj e kemi mbyllur, që nuk do të jetë”. Po mendoja si ta dërgoj CV-në, për një gjë që nuk kam vendosur ta pranoj.

Megjithatë, ju e dërguat CV-në tuaj. A ishte një vendimmarrje e lehtë?

Në fakt, nuk ishte një vendimmarrje e lehtë, sepse ishte dhe e papritur, e përjetova me shqetësim, të kaloje në një status tjetër ishte një ndryshim jo i vogël. Është tjetër gjë kur je brenda politikës dhe të ofrohet një pozicion, që natyrisht edhe atëherë duhet ta mendosh, po në rastin tim, ishte një ndryshim jo i vogël edhe për faktin që isha e para që po hyja nga shoqëria civile në politikë. Më pas shumë përfaqësues të shoqërisë civile u angazhuan, po në atë kohë kishte dhe më shumë paragjykime.

Atëherë etiketoheshe si i/e anësuar vetëm se mund të takoje një politikan e për këtë sulmoheshe në gazeta, po natyrisht për mua kjo ishte e fundit, sepse çdo njeri ka të drejtën të zgjedhë e të besojë në një forcë politike, madje edhe kur është në shoqërinë civile, diferenca bëhet në qëndrimet që mban dhe në vendimet që merr. Megjithëse për fat të keq edhe sot nuk jemi çliruar, po gjithsesi është një ndryshim shumë i madh me gati 20 vjet më parë. E ndava me bashkëshortin tim. Im shoq nuk ishte ndonjë entuziast i politikës, po asnjëherë nuk më ka imponuar mendimin e tij në vendimmarrje profesionale, po me një ton të ftohtë më tha: “Bëj zgjedhjen tënde duke i vënë të gjitha në balancë, sepse natyrisht që është një tjetër impenjim. Po mendoje vetë”.

Mora në telefon djalin e madh, Arianin, dhe i thashë për propozimin që më kishte bërë Nano, gjithmonë e kam çmuar pjekurinë, mendjen e ftohtë dhe racionalitetin e Arianit, i cili pasi më tha se vendimi është i yti, më pas duke bërë një diskutim mes nesh më tha: “Mam, natyrisht je ti që duhet ta marrësh vendimin, unë mendoj që kjo ftesë është një vlerësim, është rezultat i investimit që ke bërë, në fund të fundit është produkt i angazhimit tënd qytetar, ndërkohë është edhe një fushë që ti e njeh mirë, gjithsesi zgjedhja është e jotja”. Natyrisht që isha në dilemë, ishte një vendim jo i lehtë, mora në telefon miken time, Diana Çulin.

I thashë: “Diana, ç’më gjeti, kam një siklet”. Ajo e dinte që isha nisur për në Paris dhe menjëherë tha: “Çfarë, të humbi bagazhi?”. Kjo shprehje e ktheu në humor situatën, që më kishte krijuar pak tension duke qenë edhe nën presionin e kohës. I thashë është më shumë se bagazhi dhe i tregova për telefonatën e Nanos, Diana pa e zgjatur shumë më tha: “Po çfarë thua, kjo është një gjë shumë e mirë, është e mirë për të gjithë ne të shoqërisë civile, që politika hapet ndaj saj. Duhet të kthehesh dhe më thuaj nëse të duhet gjë”. Sapo po hyja te dera e avionit, më mori në telefon një mike tjetër e imja, Valdet Sala, e cila pasi më pyeti si je më tha: “Vali, je propozuar për ministre e Punës dhe Çështjeve Sociale? Nuk duhet ta refuzosh”.

Në fillim e pyeta si e more vesh, sepse mendova që si mund të ishte bërë fakt i kryer kur ende nuk i kisha dhënë miratimin Kryeministrit dhe njëherësh kryetar i PS-së. Ajo më tha se kishte dëgjuar Fatos Nanon në televizor. E pyeta menjëherë nëse e kishte përmendur emrin tim. Valdeti më tha: “Jo, po e kuptova nga ato që ai tha: kam ftuar një zonjë nga shoqëria civile”, dhe përmendi çfarë ai kishte thënë, “dhe jam e bindur që je ti dhe duhet ta pranosh, nuk duhet ta refuzosh”.

Tha gjithashtu se është mirë për të gjitha ne përfaqësimi etj. Gjithsesi, meqenëse Nano insistoi duke më thënë ma dërgo CV-në se do të flasim prapë pas mbledhjes së Kryesisë, fola me asistenten time që të çonte një CV te Partia Socialiste. Kur mbërrita në Paris fola edhe me Besnikun, djalin e dytë, që po na priste në aeroport, i cili më tha pak a shumë se e dija vetë, se ishte zgjedhja jote, por pata ndjesinë që nuk kishte ndonjë entuziazëm e anonte më shumë nga jo, nuk e kam diskutuar më me të pse e pati atë ngurrim, po ndoshta ngaqë e shihte që andej se si funksiononte politika këtu në Shqipëri dhe nuk mund të mos më ndikonte intuita dhe mendja e ftohtë e Besnikut, që ma shtoi hezitimin.

Ai i ka ndenjur gjithmonë larg politikës, ka qenë shumë i lidhur me studimet dhe profesionin e tij. Nano më mori përsëri në telefon dhe më tha: “Vali, duhet të ndryshosh biletën e të kthehesh”. Me sa duket e kishte miratuar edhe në Kryesi. Bileta ishte një siklet më vete se ishte ditë e diel dhe kishte vështirësi. Gjithsesi u ktheva dhe u bëra pjesë e kabinetit. Po për t’iu kthyer pyetjes suaj sa e lehtë ka qenë vendimmarrja, e vërteta është se kam ngurruar veç të tjerash edhe për faktin se siç ndodh shpesh në Shqipëri, duhet të marrësh vendim në një kohë të shkurtër.

Por ka pasur edhe nxitje e mbështetje, sidomos nga mike të miat, me të cilat kisha punuar për vite të tëra brenda dhe jashtë vendit. Kisha pasur disa herë biseda me miken time të mirë qysh prej vitit 1993, britaniken Janet Jackson, vitet e fundit drejtore për Euroazinë në Kombet e Bashkuara, Divizioni për Popullsinë, kur mbrëmjeve, pas një dite shumë të ngarkuar, uleshim për darkë e diskutonim tema të ndryshme, e natyrshëm edhe rreth politikës.

Janet ishte një pasionante e politikës, ishte e majtë në bindje, simpatizante e Laburistëve, edhe pse nuk ishte e angazhuar asnjëherë drejtpërdrejt në politikë dhe dinte ta ndante pjesën personale nga detyra që kishte. Ajo më thoshte gjithmonë: “Valentina, duhet të angazhohesh në politikë”, dhe besoj se insistimi i saj ka pasur një ndikim në vendimmarrjen time, vendimmarrje që e priti me shumë gëzim. Edhe pse në vitet e para, vitet 1993- 2000, unë e dëgjoja me indiferencë e as që e mendoja një gjë të tillë.

Përmenda më lart Portorozhin; është një histori që më lidh përsëri me zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, po i rikthehem kësaj ngjarje se më dha idenë e parë për mënyrën se si funksionon politika te ne në disa raste. Ishte komunikimi im i parë me kryetarin e PS-së për angazhimin tim politik, kur përpara zgjedhjeve parlamentare të qershorit të vitit 2001, ishim me Kozarën në Portorozh në një tryezë të Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore, një nga nismat e para serioze të iniciuara nga BE-ja për rajonin tonë e ku ne të dyja ishim të përfaqësuara.

Nisma u iniciua në Këln të Gjermanisë në vitin 1999 dhe drejtohej nga Erhard Busek, si koordinator i BE-së për Paktin e Stabilitetit. Busek-u ka qenë zëvendëskancelar i Austrisë dhe një figurë e njohur europiane, po edhe për rajonin tonë, gjithashtu edhe për Shqipërinë, në vitet e vështira të tranzicionit të hershëm. Nisma e Paktit të Stabilitetit përfshinte çështje të sigurisë dhe integrimit të rajonit, dhe në fakt u nis me bujë, po nuk është se pati ndonjë impakt të madh.

Nisma kishte tri tryeza: Demokratizimi dhe të Drejtat e Njeriut; Rindërtim, Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik; Çështje të sigurisë (me dy nëntryeza: Siguria dhe mbrojtja dhe Drejtësia dhe punët e brendshme).

Më vonë, Pakti i Stabilitetit për Europën Juglindore u transformua në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal me synimin e një strukture me pronësi rajonale, që do të rriste edhe kapacitetet dhe përgjegjshmërinë e vetë rajonit, për proceset integruese. Se sa ia ka arritur këtij objektivi, të pronësisë rajonale, mbetet e diskutueshme. Si përfaqësuese të shoqërisë civile, bashkë me Kozarën, kishim shkuar në Portorozh për të marrë pjesë në tryezën e parë, Demokratizimi dhe të Drejtat e Njeriut. Ishim në pushim të kafesë kur më bie telefoni, ishte im bir Ariani, i cili më tha: “Të ka dalë emri te gazeta ‘Koha Jonë’, je në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste, e di?”. I thashë jo. Ai më tha: “Po si është e mundur që nuk e di?”.

Në fillim mendova mos ishte ndonjë lapsus ose mos është ndonjë njeri tjetër, thjesht koincidencë emri, çka më kishte ndodhur edhe në bankë, ku ishte një tjetër person me të njëjtin emër dhe diferencën e bënte emri i babait, sepse askush nuk më kishte kontaktuar për të më pyetur. Kur po bënim këto diskutime me Kozarën, më morën në telefon edhe njerëz të tjerë, dikush më uronte e dikush më pyeste, po askush nuk më kishte marrë nga PS-ja, që më kishte vënë emrin në listë.

E vërteta është se atëherë nuk kisha shumë informacion sesi funksiononte realisht përgatitja e listave të kandidatëve, po kur hyra në PS e pashë që në fakt kandidaturat diskutoheshin një për një dhe shumë seriozisht në mbledhjen e Kryesisë, çka do të thotë se emri ishte diskutuar në mbledhjen e Kryesisë. Çdo kandidaturë i paraqitej Kryesisë me CV-në dhe ka pasur raste që Kryesia ka refuzuar kandidatura, jo vetëm për deputetë, por edhe për të zgjedhurit vendorë, ministra apo për institucione të tjera të rëndësishme për pozicionet politike që kandidatët duhet të vinin nga partia.

Edhe pse përzgjedhja për në listën e kandidatëve për deputetë ishte një vlerësim dhe nder që më bënte Partia Socialiste, e duke qenë edhe e dyta në renditje të listës, pas Dritëro Agollit një nga personalitetet jo vetëm të letrave po me kontribute shumë të veçanta në themelimin dhe reformimin e PS-së dhe të politikës shqiptare, nuk u ndjeva mirë që më kishte dalë emri pa ditur gjë, sepse në çdo rast gjithsecili ka zgjedhjen e vet. Në fakt, lista ku emri im figuronte i dyti në radhë, ishte lista e proporcionalit, atëherë sistemi ishte miks, maxhoritar me korrektim nga lista proporcionale.

Ky sistem nuk favorizonte partitë e mëdha, të cilat përgjithësisht nuk merrnin vende nga lista proporcionale, përjashtuar rasteve të largimit të ndonjë deputeti të maxhoritarit që zëvendësohej nga lista. PS-ja nuk favorizohej nga ky sistem. Ndoshta kjo ishte dhe arsyeja që nuk më kishin kontaktuar.

Gjithsesi, për mua ishte tërësisht e papritur, sepse nuk e kisha menduar asnjëherë, por në fakt u shqetësova edhe për faktin se kjo gjë cenonte statusin tim e më vinte në pozitë të vështirë edhe në raport me ata që më kishin zgjedhur, sidomos si presidente e Forumit të OJF-ve, sepse e drejta ishte që duhet të bëja dorëheqjen përpara se të vihesha në listën e një partie politike, siç edhe e bëra më vonë, edhe pse këta skrupuj sot nuk funksionojnë shumë. Ndërkohë që isha aktive dhe e zgjedhur në pozicione drejtuese në disa organizata të tjera rajonale dhe ndërkombëtare, nga të cilat bëra menjëherë dorëheqjen kur u zgjodha. Po kjo nuk ishte dilema e vetme, kam pasur mendimin dhe ende e kam pas 18 vjetësh angazhimi në politikë, se politika është vendi ku njeriu mund të humbasë një pjesë të vetes, ndoshta dhe atë pjesë që e quan edhe më të çmuar, natyrisht nëse e ka një të tillë.

Po kësaj çështjeje do t’i kthehem përsëri më vonë. Gjithsesi, për hir të së vërtetës, në të gjitha rastet kur kam pasur zgjedhje, emërime nga Partia Socialiste, më është kërkuar mendimi paraprakisht përpara vendimmarrjes. Kam pasur pothuaj të njëjtën dilemë kur kam kandiduar për deputete në maxhoritar në vitin 2002, kam hezituar edhe pse isha ministre në Qeverinë Socialiste, po sapo kisha hyrë në kabinet, gjëja që i kam thënë kryetarit të Partisë ishte se më duhet ta mendoja nëse duhet të bëja kaq shpejt hapin e dytë pasi kisha vetëm 3 muaj në politikë, dhe i kam thënë se kam nevojë për të bërë një vlerësim mjedisi të zonës ku do të kandidoja, një zonë pothuaj domen i PD-së, e cila kishte fituar në çdo zgjedhje, e ndërkohë që kishte të tjerë me kontribute në parti përpara meje. Ai më tha: “Kjo është një nga arsyet, meqenëse vjen nga shoqëria civile je më e përshtatshme për atë zonë. E di që ka dhe njerëz që ndoshta iu duket e tepërt, po nëse politikën e merr si përgjegjësi, kjo është normale”. /Panorama/

http://www.panorama.com.al/dua-te-te-ftoj-te-behesh-pjese-e-kabinetit-valentina-leksaj-tregon-prapaskenat-e-qeverise-se-ps-ne-2002-dhe-rrefen-biseden-me-fatos-nanon-telefonata-ne-paris-qe-me-beri-ministre/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb