Policia e Tiranës ka zbuluar një bazë ku prodhoheshin silenciatorë dhe modifikoheshin armët e zjarrit në Tiranë. Dhjetëra pistoleta, silenciatorë, municion luftarak dhe pjesë për modifikimin e tyre janë sekuestruar nga policia.

“Miniera” e armëve u zbulua në një banesë në rrugën “Shaqir Shima”, në Kodër Mëzez, ku sipas policisë ushtrohej aktivitet kriminal për prodhimin, shitjen dhe tregtimin e armëve të zjarrit. Ervis Bakalli, 30 vjeç dhe Dorian Kalo, 45 vjeç, u arrestuan nga policia.

Në një ambient brenda rrethimit të banesës së Bakallit, të përshtatur si punishte, u konstatuan makineri si: torno, freza dhe vegla të tjera pune që shërbenin për prodhimin dhe modifikimin e pjesëve/mekanizmave të armëve të zjarrit, si dhe për prodhimin e silenciatorëve të armëve.

Në momentin e ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, në këtë ambient janë gjetur duke punuar shtetasit Ervis Bakalli dhe Dorian Kalo, të cilët u arrestuan në flagrancë.

8 armë zjarri të llojit pistoletë, 3 armë zjarri automatike, 4 zhurmues si ato të armëve të zjarrit pistoletë, silenciatorë, pjesë të ndyshme armësh, një thikë, makineria që shërbente për prodhimin dhe modifikimin e pjesëve të armëve të zjarrit, municion luftarak dhe sende të tjera prej metali që përdoren për modifikimin dhe prodhimin e silenciatorëve të armëve të zjarrit, valixhe me pjesë armësh për modifikim, një sasi parash dhe sende të tjera të kundërligjshme janë sekuestruar nga policia.

Të gjitha armët dhe sendet e tjera të sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme, për të vërtetuar nëse këto armë janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.

Sipas policisë aksesorët për modifikimin e armëve dhe silenciatorëve vijnë në rrugë ilegale, nga jashtë vendit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: