Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Valixhen e shqyer” e nisa në Shkodër, student, e vazhdova në Lushnjë, ku banoja, pastaj në fshatrat e Kukësit, ku më çuan mësues, më priti nën tokë, derisa dola nga burgu, e rishkrova në Tiranë, u botua dhe e rishkrova të gjithin edhe një herë në Romë. Është po ai dhe i ri njëkohësisht. Libër që më ka ndjekur gjithë jetën…”. Për kujtesë, disa shkrime të Visar Zhitit u futën në tokë për t’u ruajtur në Lushnje, te shtëpia e motrës së Visarit, e një prej tyre ishte edhe dorëshkrimi i këtij libri.
Visar Zhiti sjell para lexuesit një libër, ku ‘autorësinë’ e ndan me të birin, Atjonin.
Botimi nis me një ese, që ndërpritet, për të vazhduar si mbyllje tronditëse e librit, i cili mbart copëza kohe të një jete, që nga fillesat e saj shkrimore e deri më tani, i shoqëruar me vizatime të djalit të autorit, Atjoni, që është dhe personazh në 19 rrëfimet që përfshihen këtu, aq sa dhe mosha e tij. Prandaj dhe u rishkrua ky libër për të qenë i tillë, fëminor deri në trill, me urtësinë e të mëdhenjve, magjepsës gjithsesi.
Botimi i atit dhe i birit, sapo ka dalë nga shtypi nën siglën e shtëpisë botuese “OMSCA-1”, që e konsideron atë veçantë dhe tërheqës për përmbajtjen dhe “historinë” e vet, album bardhë e zi ndërkohë, një mpleksje moderne, që përçon ndër të tjera kumtet dhe emocionet e bashkëpunimit dhe të dashurisë mes brezave. Vihet në dukje edhe gjuha metaforike e Zhitit, që shkruan me gjuhën metaforike të Zhitit junior që vizaton, harmonia e fjalës me linjën, e ritmit me hijen, një risi, një puzzle artistik jete senërtohen begatshëm nën një kopertinë domethënëse dhe të bukur si me shi yjesh.
LIBRI
Sipas ‘OMSCA’-s, “Valixhja e shqyer” është një libër për të gjithë, i lexuesit pa moshë ose i çdo moshe, pra ka arritur më të vështirën, ndërkaq personazhet e tij më së shumti janë fëmijë e të rinj dhe lexuesi i parë sigurisht janë “ata që rriten”, teksa diçka mbetet e njëjtë e misterioze. Në materialin shpërndarë për mediat, shënohet se pikërisht këtë sjell edhe ky libër, ku ndër të tjera, përzihen fantastikja e reales me lojën, ringjallje statujash e rrëfime gjallesash që nuk flasin, amfiteatro qiellorë me kërshërinë e së përditshmes, modernizime të legjendës shqiptare e origjinalitet i spikatur. Sinqeriteti dhe humori, poezia dhe trishtimi janë ‘princërore’, aq sa duket se kemi të bëjmë me një libër ‘princ’ si te Oscar Wilde e Antoine de Saint-Exupéry, por të mjediseve tona.
HISTORIA E PAZAKONTË
“Valixhja e shqyer” ka brenda dhe “historinë” e pazakontë të këtij libri, ku gjejmë edhe parathënien-dëshmi të shkrimtarit të njohur, Bashkim Shehu, i cili ndër të tjera rrëfen se “një ditë, vite e vite më parë, po ky libër, i saposhkruar nga Visari, m’u dha nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” për t’u recensuar, siç ishte rregulli asokohe… Por libri nuk u botua, ngaqë Visarin ndërkaq e futën në burg…”.
Shehu kujton se sidoqoftë, një nga kopjet e dorëshkrimit të këtij libri mbeti tek unë. “Vazhdova ta ruaja, duke e mbajtur të fshehur diku. E ruajta deri në ditën kur babai im, ndonëse me pozitë të lartë në pushtetin e asaj kohe, u shpall… armik. Meqenëse prisja kontroll nga Sigurimi, dorëshkrimin e Visarit e dogja, duke menduar se ruajtja e tij tash e mbrapa do të kishte qenë e rrezikshme për të dy. Por, ashtu si çdo përrallë, edhe kjo mbaron mirë, për Visarin e për mua, që jetojmë të lirë dhe, gjithashtu për këtë libër, i cili, sidoqoftë, nuk humbi”. Vërtet është një libër “që nuk humb”, që e përtërin dhe pasuron arkitekturën e vetvetes, rrëfime të reja dhe imazhe të reja, që krahas aventurës së krijimit, ka edhe aventurën e mbijetesës, tipike kjo për shkrimtarin Visar Zhiti. Vizatimet e freskëta, që mbartin dhe ato “rrëfimin” e tyre të pavarur, duke iu bashkuar tregimeve që “vizatojnë” pjesë jete e kanë fill lidhës mes tyre si krerët e një romani, zbulojmë se dy fëmini e dy adoleshenca japin dhe marrin në mënyrë të ndërsjellë në dy kohë, në dy gjini arti, ndërkaq duket sikur të shkuarës i është hijezuar e ardhmja, përvojës i është shtuar ngazëllimi, lojës mençuria, me një horizont fantastik pritjeje dhe dy autorët shkrihen në një, si në përqafimin e tyre babai me djalin. Një vlerë të re, një ngjarje mes ngjarjeve kulturore do ta quanim librin “Valixhja e shqyer”, të cilin Shtëpia Botuese “OMSCA-1” e shpërndan sot, në ditën kur Atjon Zhiti do të mbushte 21 vjeç, dhuratë që besojmë se do ta gëzojë edhe në qiell. Ndërkaq, kjo është dhe dhurata që i jepet lexuesit dhe artdashësve, një trini moderne e atit dhe e birit dhe e shpirtit të tyre në një vepër.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb