Marie Van der Zyl është presidente e Bordit të Deputetëve të Hebrenjve Britanikë, dhe gruaja e dytë që e mban këtë post në historinë e kësaj organizate. Me profesion avokate, ajo e mori këtë detyrë si Presidente më 1 qershor 2018. Van Der Zyl ka deklaruar se bordi ekziston për të nxitur më shumë mirëkuptim ndaj Izraelit. Sipas gazetës së njohur The Jerulasem Post, ajo është përshirë mes 50 personaliteve hebraike më me ndikim në botë. Ajo zhvilloi një vizitë në Tiranë për të ndjekur nga afër punimet e samitit të dytë të diasporës shqiptare ku edhe dha një intervistë për gazetarin Erion Kaçorri në televizionin News 24.

“Ajo që më mahnit më shumë rreth Shqipërisë është dëshira e këtij vendi për të mbajtur lidhje të forta me diasporën e vet. Kjo është diçka ku unë e gjej veten dhe mendoj se do të jetë me shumë përfitim për Shqipërinë” deklaron zonja Van der Zyl teksa nënvizon se të gjithë Shqiptarët që ka takuar janë shumë mikëpritës dhe mbështetës.

E pyetur sesa të rëndësishme janë samitë të këtij lloji për diasporën e një vendi, Van Der Zyl shprehet se kur ka dialog dhe komunikim arrini të kuptoni më mirë njëri-tjetrin.

“Nëse bëhet fjalë për një dialog që synon të mbështesë komunitetet, apo nëse ka të bëjë me krijimin e vendeve të punës. apo të nxitësh biznesin, këto janë të gjitha gjëra që njerezit mund t’ia ofrojnë njëri-tjetrit. Dhe të gjithë kanë dëshirën që të vijnë këtu dhe gjithashtu është me shumë rëndësi që njerëzit të mos e humbasin prejardhjen e tyre shqiptare apo identitetin e tyre. Eshtë shumë pozitive sepse shikon se kaq shumë njerëz kanë udhëtuar për të qënë këtu me dëshirën për të biseduar”.

Marie Van der Zyl shprehet me superlativa për samitin e diasporës në Tiranë. Sipas saj njerëzit kanë dëshirë që të angazhohen, që të bëhen pjesë e diçkaje më të madhe dhe njerëzit duan të ruajnë identetin e tyre.

“Përpara se të vija këtu, që të jem e sinqertë me ty, një muaj më parë në Mbretërinë e Bashkuar në detyrën time si presidente e bordit të deputetëve Britaniko Izraelite, zhvilluam një ekspozitë nga Yad Vashem që tregonte për një rol të jashtëzakonshëm dhe heroik që Shqiptarët luajtën për të shpëtuar Hebrenjtë nga Holokausti. Ambasadori i Shqipërisë në Londër erdhi për të folur përpara komunitetit tonë dhe mësuam për herë të parë se çfarë heronjsh të mrekullueshëm kishin qënë shqiptarët dhe kjo ishte shumë frymëzuese dhe gjithashtu kam mësuar mbi konceptin tuaj të Besës, për mënyrën sesi mbështesni fqinjët tuaj dhe mbani fjalën e dhënë. Eshtë vërtetë e rëndësishme”. shprehet Van Der Zyl e cila nuk harron të përmendë antisemitizmin në vendin ku ajo jeton, në Britaninë e Madhe.

“Jam presidente e këtij grupimi dhe jam gruaja e dytë në këto dyqind e gjashtëdhjetë e nëntë vjet dhe bordi i deputetëve është institucioni i parë për qeverinë Britanike për tu konsultuar me Hebrenjtë për gjithçka që ndikon në mënyrën tonë të jetesës. Në lidhje me praktikat tona fetare dhe aktualisht në komunitetet fatkeqësisht po përballemi me shumë antisemitizëm nga partia laburiste britanike. Anti semitizëm i krahut të majtë dhe na duhet të sfidojmë çdo lloj anti semitizmi duke nisur nga Jeremy Corbyn dhe lidershipin e tij dhe kjo është dërrmuese dhe shumë e vështirë për komunitetin hebraik sepse ne kemi pasur kryesisht vlera të partisë laburiste për gjatë gjithë viteve. Një tjetër pjesë e rëndësishme e punës tonë ka të bëjë me arsimin, aktivitetet ndërfetare, por ne punojme edhe me komunitetet e tjera të minoritetit përshembull komunitetin mysliman. Dëshirojmë të mbrojmë praktikat tona fetare shumë prej të cilave i kemi të përbashkëta. Por ne jemi një organizatë demokratike e përgjegjshme, të parët që qeveria konsulton për çdo gjë që ndikon në jetën e komunitetit hebraik në Britaninë e Madhe”.

E pyetur në lidhje me marrëdhëniet e Shqipërisë me Izraelin, Marie Van Der Zyl deklaron marrëdhëniet janë shumë shumë të mira.

“Mund ta ndjesh këtu se populli shqiptar ka një respekt të madh për Hebrenjtë. Shqiptarët kane shpëtuar hebrenjtë gjatë holokaustit gjithashtu dhe kjo tregon se çfarë populli i jashtëzakonshëm është në kohë shumë shumë të vështira. Mendoj gjithashtu se ekziston edhe dëshira për të pasur marrëdhënie më të ngushta biznesi”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb