DURRËS- “Brenda vitit të parë të mandatit të ardhshëm të bashkisë nisin punimet për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në Gjirin e Lalzit”. Kështu ka deklaruar kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako gjatë hapjes së sezonit turistik në plazhin e gjirit të Lalzit.

Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane për bashkinë e Durrësit Vangjush Dako ka deklaruar se “jo më kot zgjodhëm ta hapim sezonin turistik për gjithë Durrësin në këtë vend, pasi ne e shohim zonën e Ishmit dhe plazhet e gjirit të Lalzit si një zonë model të zhvillimit të turizmit, e cila më pas do të aplikohet në gjithë vendin”.

Dako tha para banorëve të zonës së Ishmit se brenda vitit të parë të mandatit të ardhshëm fillojnë punimet për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza. Ai do të jetë shumë shpejt funksional dhe do të garantojë pastërtinë e plazheve dhe ujit të detit në këtë zonë. “Sot në Durrës ne nuk kemi më ujëra të zeza që derdhen në det, pasi me anë të kolektorit kryesor të gjitha ujërat e zeza përgjatë zonës turistike dhe të banuar shkojnë dhe pastrohen në impiantin e ndërtuar në Shënavlash. Pikërisht këtë model do aplikojmë edhe këtu në Ishëm”, u shpreh Dako.

Kandidati Dako e ka cilësuar Ishmin dhe gjirin e Lalzit potencialin më të madh turistik në vend, i cili gjendet në një distancë prej 30 km nga Tirana, Durrësi dhe aeroporti i Rinasit. Dako shtoi se “ne do të zhvillojmë këtë zonë duke ndërtuar struktura të reja turistike si askund tjetër në vend, pasi prioriteti ynë ka qenë dhe mbetet turizmi”. “Këto investime do të rrisin mirëqenien e banorëve të zonës, duke sjellë punësimin e shumë të rinjve, jo vetëm nga Ishmi, por nga gjithë Shqipëria e Mesme”, tha ai.

Dako ka shprehur bindjen e tij para banorëve se kjo zonë nuk do të frekuentohet vetëm nga turistë të rajonit, por edhe nga pushues nga vendet perëndimore. “Vizionin tonë për zhvillimin e turizmit ne e mbështesim edhe në mirëmbajtjen dhe kujdesin ndaj siteve arkeologjike”, vijoi më tej kryebashkiaku Dako. “Me mbështetjen e Qeverisë shqiptare, ne po shpërngulim disa familje nga arena e amfiteatrit për të mundësuar gërmime të reja dhe zbulimin e plotë të arenës. Një tjetër aset i madh i qytetit tonë është edhe muzeu arkeologjik, i cili ka më shumë se një muaj që është hapur dhe vizitohet nga shumë persona. Për të përballuar kërkesën dhe sfidat e kohës në këtë sektor kërkohet punësim i personelit të kualifikuar. Për këtë arsye ne do t’i japim mbështetje arsimit profesional ku të dalin persona të arsimuar nga degë që kanë si destinacion turizmin”, deklaroi ai.

Dako ka deklaruar se në Durrës do të ndërtohen edhe dy vepra arkitektonike, që do të jenë një pikë tërheqëse e mjaft turistëve, por sidomos e studentëve të inxhinierisë së ndërtimit, arkitekturës dhe atyre të arteve për të parë këto modele të rralla të arkitekturës moderne.

Në aktivitetin për hapjen e sezonit turistik ka qenë i pranishëm edhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi. Në përshëndetjen e tij Klosi tha se në katër vitet e ardhshme në bashkëpunim me kryebashkiakun Dako do të hapim një shkollë të re që ti shërbejë turizmit. Klosi shtoi se Vangjush Dako vjen në këto zgjedhje si kandidat i spikatur dhe me cilësi të perfeksionuara. “Në 8 vite ai ka realizuar shumë projekte të rëndësishme për qytetin dhe tani edhe me mbështetjen e kryeministrit Rama do të realizojë të tjera projekte moderne. Me këtë mbështetje dhe përkushtimin e Vangjush Dakos do ta bëjmë plazhin e Durrësit, nga Gjiri i Lalzit dhe në vazhdim një nga pikat më të forta turistike jo vetëm në Shqipëri po në gjithë rajonin e Mesdheut”, u shpreh Klosi.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: