Dinamo është thuajse në Kategorinë e Parë dhe këtë verdikt duket se e kanë pranuar edhe drejtuesit e skuadrës. Gjithsesi, janë edhe 3 javë për t’u zhvilluar dhe blutë do të kërkojnë të thonë fjalën e tyre, duke nisur nga ndeshja me Kukësin në transfertë.

Trajneri Rudolfo Vanoli vlerëson kundërshtarin, teksa jo më kot kërkon zonën evropiane, por sipas tij, Dinamo nuk është larg për nga cilësia, pavarësisht se gjërat kanë ardhur në këtë pikë.

“Kemi zhvilluar ndeshje të mira, por fatkeqësisht rezultatet nuk kanë qenë ato të duhurat. Tani na pret sfida me Kukësin. Natyrisht është një ekip i fortë dhe jo më kot kërkon të jetë mes tre më të mirëve për të hyrë në Evropë. Por edhe Dinamo ka cilësi dhe do të tentojmë të marrim më të mirën.”

Trajneri italian i Dinamos duket se i ka idetë e qarta për të ardhmen. Vanoli pranon se do të qëndronte edhe në Kategorinë e Parë, për të nisur një tjetër projekt për ringjitjen.

“Do të qëndoja te Dinamo për të rinisur nga zero. Do të ulem të bisedoj me presidentin për të diskutuar projektin e ri. Dinamo është një emër i madh dhe një klub me histori, ndaj do të ishte kënaqësi të punoja për ta risjellë ku e ka vendin. Të shohim se çfarë do të ndodhë”.

Dinamon e mban në lojë vetëm matematika, teksa duhet t’i fitojë të 3 ndeshjet, teksa atë me Egnatian me diferencë prej 3 golash dhe rrogozhinasit mos marrin asnjë pikë në 2 sfidat e tjera.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb