Lagja e re e rindërtuar e pas tërmetit në Vaqarr së shpejti do të ketë edhe shkollën e re. Fëmijët që banojnë në këtë Njësi Administrative do të kenë të njëjtat kushte dhe standarde si shkollat në qendër të kryeqytetit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet për shkollën e re “Bedri Llagami”, e cila do të jetë funksionale në semestrin e dytë shkollor, duke u bërë pjesë e paketës së 12 shkollave të reja që hapen këtë vit shkollor.

“Te shkolla “Bedri Llagami” po bëjmë vërtet një revolucion në Vaqarr. Revolucioni filloi që kur sollëm shërbimet e kopshtit dhe të çerdhes. Pastaj nga mundësia që na dha procesi i rindërtimit, lagjja e re në Vaqarr është populluar kryesisht me banorë që vërtet janë të ish-komunës Vaqarr, por të zonave më periferike e më të largëta. Atëherë argumenti ishte: Duke ardhur afër rrugës nacionale, duke qenë vetëm një stacion autobusi larg Kombinatit, duke i ruajtur gjithsesi tokat, ullishtet, pemëtarinë, blegtorinë që mund të kenë në këto zona të largëta, u jepet një shans, sidomos fëmijëve, jo vetëm që të jetojnë në një zonë shumë më afër civilizimit e urbanizimit, por sidomos me standarde në arsim”, deklaroi Veliaj.

Edhe me investimin në arsim, çdo familje që jeton në Njësinë Administrative do të ketë tashmë të gjithë shërbimet dhe infrastrukturën e duhur. “Me këtë shkollë, që është një shkollë e bashkuar (9-vjeçare, shkollë e mesme, parashkollor dhe kopsht), njësia administrative, qendra e kulturës dhe lagjja e re, pra në një kilometër katror, praktikisht është gjithçka që i duhet një fëmije që të rritet në mënyrë dinjitoze, me të gjithë kushtet optimale, siç janë edhe në qendër të Tiranës,” u shpreh Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës sqaroi se së bashku me shkollat e Kombinatit, po ashtu të reja të rindërtuara, kjo shkollë zgjidh jo vetëm mbingarkesën në klasa që shkaktonte dhe mësimin me turne, por lë hapësirë edhe për zgjerimin e mëtejshëm të lagjes së Vaqarrit, që është e pashmangshme me transformimin infrastrukturor. “E di që ka qenë një sforco e madhe, sidomos kur shkolla mungonte dhe kjo infrastrukturë nuk ishte dhe trysnia ishte e gjitha në Kombinat. Kombinati ka shkolla të mira si “Betim Muçon” dhe “Lasgush Poradeci”. Tani që fillon edhe rindërtimi, shtimi i shkollës “Musine Kokalarit”, i përmbush nevojat e Kombinatit, por nuk është parashikuar që të ketë presionin që vjen edhe nga zonat e tjera. Vaqarri, – duam apo s’duam ne , nuk e ndalojmë dot rritjen e Tiranës, – do kthehet në një lagje të Tiranës ku pjesa rurale do jetë gjithnjë e më e zbehtë dhe pjesa urbane do jetë gjithnjë e më e fortë. Kjo është e pashmangshme. Ne kemi 380 nxënës, por po e bëjmë shkollën për 600. Pra të rikuperojmë njëherë atë që jemi mangut nga e kaluara dhe të parashikojmë edhe për të ardhmen,” deklaroi Veliaj.

Në përfundim të fjalës së tij, Kryebashkiaku i Tiranës tha se veprat janë ato që vlejnë, fjalët i merr era. “Në finale, llogjet dhe debatet i merr era! Pyetja është çfarë ngelet? Kjo shkollë do ngelet edhe kur mos të jemi ne. Ndaj, them që ne jemi ndarë në dy grupe: Grupi që punon dhe grupi që merret me llafe. Grupi që merret me llafe atë punë ka bërë tërë jetën. Ne që punojmë duhet të sigurohemi që lëmë pas një gjë që do i rezistojë kohës, do jetë më e bukur, më e madhe dhe më e fortë. Shpresoj shumë që pas pushimeve të dimrit të kapim shkollën e Vaqarrit, që viti akademik t’i gjejë nxënësit tek shkolla e re”, përfundoi Veliaj.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: