Mjeku infeksionist, Ilir Alimehmeti ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “FrontLine”, drejtuar nga gazetarja Marsela Karapanço.

Mjeku, tha se humbjet e jetës kanë rënë në vendin tonë. Ai shtoi, se variatni omicron ka transmetueshmëri më të lartë dhe kësisoj sipas tij, do të ishte e udhës që të pavaksinuarit dhe ata që s’e kanë kaluar sëmundjen të vaksinohen.

“Humbjet e jetës janë shumë larg edhe pikut të mëparshëm. Jemi shumëfishm më poshtë. Një virulenca është më e ulët, virusi është më i dobët, imunizim më i madh, pra një përqindje e madhe ose është i vaksinuar ose e ka kaluar sëmundjen. Çdo vit kemi grip sezonal. Kurrë atje nuk numërojmë rastet e reja sepse janë shumë. Sezonin e fundit të gripit sezonal, pra në janar shkurt të 2020 kemi përllogaritur që në javën e gripit kemi pasur mijëra persona me grip. Ne matim shtrimet në spital, rastet e rënda dhe humbjen e jetës. Se sa njerëz që kanë pak temperaturë dhe kanë pak dhimbje bote nuk raportohen dot. (Pse testet e shpejta dalin negative) Do të kemi raste false negative, por kur del pozitive është e sigurt. Nga ana praktike klinike s’na intereson shumë se si del testi. Ne na intereson pacienti. Omicroni prek më pak fëmijët se sa Delta. The Economist po të ketë burime, ato përmend ato zyrtare”, tha Alimehmeti.

Mjeku foli dhe për ndryshimin e masave. Sipas tij, një hap i tillë nuk ka pse të ndërmerret, për aq kohë sa vendi është duke e përballuar sëmundjen. Ai shtoi më tej, se thuajse të gjithë shqiptarët do të bien në kontakt me Omicron, por derisa të arrijë ajo ditë, duhet të jemi të përgatitur.

“Kur ke shumë masa që disa nuk kanë efekt fare për pandeminë e vendosen të gjitha në një letër, njerëzit s’i kuptojnë. E vetmja masë e rëndësishme është evitimi i grumbullimeve. Kjo masë është e rëndësishme. Në momentin që kontaktet janë asnjë masë nuk bën më ndikim. Po të shihni shtetet ku ka hyrë Omicron janë shtete më të mëdha se ne, më të përgjegjshme s’e kanë ndalur valën e virusit. Disa masa kanë qëndruar në letër si inerci. 23:00 me 06:00 të mëngjesit, ku grumbullohen njerëzit? Asgjëkund. Jemi duke folur për organizime sportive, festive. Kishim një stadium në tetor plot, e më pas pai një rritje të rasteve. Atëherë u rrit kurba. Aq mjafton për Shqipërinë. Këto janë grumbullime problematike dhe duhet ta kemi të qartë. Kur nuk eviton grumbullimet, e vetmja gjë që të mbetet në dorë është maska, asgjë tjetër. Duhet të jemi koishient. Duhet të bëjmë çmos për të rritur imunitetin e trupit. Nëse nuk ke kaluar COVID-in është vaksina. Një dietë e shëndetshme. E ushqyerja e shëndetshme vlen për të gjithë. Menaxhimi i stresit dhe të gjitha këto kanë efekt. Çdo shqiptar kudo ndodhen do të vijë në kontakt me Omicronin. Por do të ishte mirë që të binte në kontakt me të në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të mos kishte efekt të madh”, u shpreh mjeku.

Për Alimehmetin, rifillimi i mësimit online nuk do të ishte një hap i duhur, pasi sipas tij, fëmijët kanë krijuar boshllëqe dy vitet e fundit për shkak të këtij sistemi mësimdhënie.

“Jo, në mënyrë absolute. Nga sot në dy javë kjo do të marrë drejtimin e saj. Omicroni ecën shumë shpejt, do 2-3 javë vëmendje dhe më pas bie. Mungesa e një arsimi të rregullt është dëmi më i madh që i bën një fëmije”, përmbylli Alimehmeti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb